Open Data Albania po hulumton mbi të Ardhurat e realizuara dhe Marzhin e Fitimit për 13 Bizneset Koncesionare PPP të cilat zbatojnë projekte me mbështetje nga Buxheti i Shtetit.

Tregues të Performancës Financiare të marra në shqyrtim janë të Ardhurat Vjetore dhe Fitimi para Tatimit për vitin 2020, të marra nga Pasqyrat Financiare të publikuara.

Nga 13 shoqëri koncesionare PPP që zbatojnë projekte koncesionare me mbështetje buxhetore, deri gusht 2022 vetëm 10 prej tyre kanë deklaruar Pasqyrat Financiare për vitin 2020 sipas detyrimit ligjor, ndërkohë për 3 prej tyre nuk ka asnjë publikim. Bëhet fjalë për shoqëritë: 3P Life Logistic sh.p.k e  cila zbaton kontratën  e koncesionit PPP Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 35-70 vjeç. Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k që zbaton koncesionin PPP Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit; dhe Bardh Konstruksion sh.p.k që zbaton Koncesionin PPP Projektim-Ndërtim-Financim dhe Mirëmbajtje e segmentit rrugor Milot Balldren

Të Ardhurat totale të raportuara për 10 shoqëritë koncesionare PPP arrijnë vlerën rreth 14.7 miliardë Lekë apo rreth 125.6 milionë Euro. Ndërsa Total Fitimi para Tatimit për shoqëritë koncesionare PPP që kanë publikuar Pasqyrat Financiare shënon vlerën 866.74 milionë Lekë apo rreth 7.40 milionë Euro. Më me detaje mbi të dhënat kliko Excelin e këtij artikulli.

Vlerën më të lartë të ardhurave për vitin 2020 e mban shoqëria koncesionare Gjoka 87 sh.p.k me vlerë 5.84 miliardë Lekë e cila zbaton Koncesionin PPP Për dhënien me koncesion/PPP të përmirësimit,ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së rrugës së Arbrit.



Burimi: OpenCorporates.al
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në vend të dytë qëndron shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k e cila zbaton koncesionin e Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë. Të ardhurat e realizuara për vitin 2020 nga kjo kompani janë në vlerën 2.30 miliardë Lekë, prej të cilave 1.28 miliardë janë nga Buxheti Shtetit në formën e pagesave buxhetore dhe 1.02 miliardë janë nga të ardhura të tjera (nga Institucione të tjera, nga riciklimi i materialeve etj.)

Vendi i tretë sa i takon të ardhurave të realizuara për vitin 2020 e mban shoqëria Albanian Highway Concession sh.p.k që zbaton Koncesionin PPP Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë’ me rreth 2.23 miliardë Lekë, ndjekur më pas nga S2 Albania me vlerë 1.57 miliardë Lekë, e cila është zbatuese e koncesionit Për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë.



Burimi: OpenCorporates.al
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërsa, nëse krahasojmë fitimin para tatimit për kompanitë e marra në analizë, rezulton që shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k, zbatuese e Koncesionit të Inceneratorit të Tiranës, ka vlerën më të lartë me një fitim prej 723.4 milionë Lekë. Për vitin 2020, kompania ka patur edhe marzhin më të lartë të fitimit kundrejt të ardhurave me rreth 31.3%. Në një Artikull Open Data ka evidentuar se për periudhën 2018-2021, nga Buxheti i Shtetit janë likuiduar rreth 4.5 miliardë Lekë për këtë koncesion dhe  mbetet për tu likuiduar edhe 29.6 miliardë Lekë.

Ndërkohë shoqëria S2 Albania  është kompania e dytë me fitim bruto  më të lartë prej rreth 301.6 milionë Lekë, si dhe gjithashtu me një marzh të lartë të fitimit kundrejt të ardhurave për vitin 2020 prej 19.1%.

Shoqëria e tretë koncesionare me fitim bruto më të lartë  me rreth 50.5 milionë Lekë është Albanian Highway Concession sh.p.k që zbaton Koncesionin PPP Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë. Marzh Fitimi kundrejt të ardhurave  rreth 5.1%.



Burimi: OpenCorporates.al
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Shoqëria  Albtek Energy sh.p.k  e cila zbaton koncesionin PPP Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit, për vitin 2020 ka llogaritur një fitim bruto prej 48.7 milionë Lekë, dhe ka Marzh Fitimi kundrejt të ardhurave prej 9.9%.

Një tjetër shoqëri me fitim pozitiv bruto është Z.M.A sh.p.k e cila  zbaton koncesionin Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë. Për vitin 2020, kjo kompani ka gjeneruar 402.4 milionë Lekë. Ndërkohë fitimi bruto llogaritet prej 4.1 milionë Lekë dhe marzhi i fitimit kundrejt të ardhurave është 1%.

Gjoka 87, pavarësisht se është shoqëria koncesionare me të ardhurat më të larta për vitin 2020, me rreth 5.84 miliardë Lekë, ka patur fitimin bruto të ulët prej 107.6 mijë Lekë.



Burimi: OpenCorporates.al
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kompani të tjera koncesionare, të cilat zbatojnë kontrata koncesioni PPP me mbështetje buxhetore, kanë realizuar fitim bruto negativ, e rrjedhimisht edhe marzh fitimi negativ, pavarësisht nivelit të të ardhurave të deklaruara në Pasqyrat Financiare.  Kjo për shkak të pezullimit të ofrimit të shërbimit të tyre gjatë kohës së Pandemisë Covid-19. Bëhet fjalë për kompanitë koncesionare PPP që operojnë në Sektorin e Shëndetësisë.

Shoqëria  Sani Service sh.p.k e cila zbaton  kontratën e koncesionit PPP Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikal, furnizimin me material mjekësor steril një përdorimesh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale, ka gjeneruar të ardhurat prej  1.07 miliardë Lekë për vitin 2020. Megjithatë humbja bruto vlerësohet 195,4 milionë Lekë për këtë vit.

Edhe kompania Laboratory Networks që zbaton kontratën e koncesionit Kontrata e koncesionit PPP Për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore  ka realizuar të ardhura prej 30.6 milionë Lekë për këtë periudhë, ndërkohë humbja bruto për vitin 2020 llogaritet 65.6 milionë Lekë sipas Pasqyrave Financiare.

Shoqëria DiaVita sh.p.k e cila është zbatuese e koncesionit Kontrata PPP Për ofrimin e shërbimit të hemodializës ka patur të ardhura të realizuara në nivelin 735.7 milionë Lekë, megjithatë ka patur humbje bruto të realizuar në nivelin 687.5 mijë Lekë.

Sa i përket shoqërisë koncesionare Rruga Llogara Orikum sh.p.k, në pasqyrat financiare të vitit 2020 janë deklaruar 0 Lekë të ardhura.

Të Ardhurat Vjetore përbëhen nga Të Ardhura nga Aktiviteti i Shfrytëzimit plus Të Ardhura të tjera nga Degët, plus Investimet e Kompanisë dhe të Ardhura të tjera Financiare të vitit. Fitimi Para Tatimit është diferenca të ardhura totale të shoqërisë, me shpenzime totale të saj në atë vit ushtrimor. Këtu nuk është llogaritur shpenzimi për tatimin. Marzhi Fitimit Bruto llogaritet si raport i Fitimit para Tatimit  kundrejt të Ardhurave të kompanisë dhe është tregues i shëndetit financiar të një kompanie.

Të dhënat mbi performancën financiare, personalitetin juridik, statusin, objektin, çështjet ligjore, menaxhimin financiar, financimin publik ose privat, tarifa koncesioni dhe rregullime ligjore për shoqëri koncesionare janë të plota dhe të publikuara në format të mirë-strukturuara në Regjistrin Koncesionar të portalit Open Corporates Albania. Po njësoj në portalin Open Data Albania janë të publikuar disa analiza dhe hulumtime mbi Koncesione. Regjistri Koncesionar dhe artikuj hulumtues realizohen në kuadër të projektit Open Data, Access and Transparency over sectors to Risk of Corruption.

Shkarko excel: Biznese Koncesionare PPP, Të ardhura nga Aktiviteti dhe Marzhi Fitimit Bruto 2020
Komente dhe Analiza : Open Data Albania