Open Data Albania po hulumton në lidhje me mbështetjen financiare të dhënë nga Buxheti i Shtetit ndër vite për Kontratat e Koncesionit PPP në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Konkretisht bëhet fjalë për Kontratat e Koncesionit:
- Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë, me zbatues shoqërinë Integrated Energy BV SPV sh.p.k.
- Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit, me zbatues shoqërinë Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k
- Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit, me shoqëri zbatuese Albtek Energy sh.p.k
Ndër vite, vihet re një rritje e peshës së pagesave nga Buxheti i Shtetit për këto tre kontrata koncesionare.
Për vitin 2021, sipas të dhënave në Open Spending Albania rezulton se mbështetja financiare nga Buxheti i Shtetit për tre Inceneratorët shënon vlerën 1.97 miliardë Lekë, apo rreth 15.9% e pagesave buxhetore të planifikuara në total për të gjitha kontratat e koncesionit me mbështetje buxhetore (13 të tilla). Në raport me Produktin e Brendshëm Bruto kjo vlerë është rreth 0.12% e PBB-së së planifikuar për vitin 2021.
Sa i përket planifikimeve vjetore, për vitin 2022 janë parashikuar të paguhen rreth 13.8 miliardë Lekë për të gjitha koncesionet me mbështetje buxhetore, prej të cilave rreth 2.2 miliardë Lekë do të paguhen vetëm për Kontratën e Koncesionit të Inceneratorit të Tiranës dhe të Kontratës së Koncesionit të Inceneratorit të Fierit.
Burimi: Open Spending.al, Ministria e Financave dhe Ekonomisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Nga viti 2015-2017, nga Buxheti i Shtetit janë paguar 1.51 miliardë Lekë për koncesionin PPP Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit.
Me nënshkrimin e dy kontratave të tjera koncesionare për Ndërtimin e Inceneratorit në Tiranë dhe Ndërtimi i Inceneratorit të Fierit, ka një rritje të peshës së pagesave buxhetore që shkojnë për koncesionet në fushën e menaxhimit të mbetjeve në raport me totalin e pagesave buxhetore që kryhen për të gjitha Koncesionet PPP me mbështetje buxhetore.
Rritja më e madhe vihet re në vitin 2020 ku 27.1% e totalit të pagesave nga Buxheti i Shtetit për koncesionet PPP, shkonte për tre koncesionet në fushën e menaxhimit të mbetjeve, ndërtimit të Inceneratorëve.
Më poshtë jepet informacion më i detajuar mbi objektin, tarifat, detyrimet dhe Pagesat Buxhetore për secilën prej kontratave:
Kontrata e Koncesionit PPP Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë e lidhur në datë 31.08.2017 mes Ministrisë së Mjedisit (sot në Juridiksionin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkisë Tiranë) dhe shoqërisë Integrated Energy BV SPV sh.p.k, dhe ka kohëzgjatje 30 vite, deri në vitin 2047).
Kjo kontratë koncesioni është e formës BOT (Build Operate Transfer) pra Ndërtim Operim Transferim i të drejtës pronësisë dhe operimit tek Bashkia Tiranë në përfundim të Kontratës së Koncesioni. Vlera e Investimit për projektin dhe të gjithë komponentët e tij sipas Kontratës së Koncesionit është 128 248 330 Euro pa TVSH apo rreth 17.1 miliardë Lekë. Ndërkohë Vlera e Plotë e Kontratës që nënkupton Pagesat Buxhetore që do të realizojë shteti në favor të Koncesionarit është rreth 34,1 miliardë Lekë, sipas Relacionit të Buxhetit 2020. Për periudhën 2018-2021, nga Buxheti i Shtetit janë likujduar rreth 4.5 miliardë Lekë, dhe vlera e mbetur për t’u paguar nga Buxheti Shtetit është rreth 29.6 miliardë Lekë.
Burimi: Open Spending.al, Ministria e Financave dhe Ekonomisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Për këtë koncesion janë shlyer edhe 62.4 milion Lekë nga Institucione të tjera Buxhetore, ku peshën më të lartë e mban Bashkia Kavajë (46.8 milionë Lekë) dhe Bashkia Durrës (15.4 milionë Lekë), për depozitimet e mbetjeve në Landfill.
Burimi: Open Spending.al, Ministria e Financave dhe Ekonomisë
*Per me shume detaje ne lidhje me te ardhurat e koncesionarit sipas institucioneve buxhetore, referohuni te dhenave ne excel
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Sipas Kontratës së Koncesionit, (Neni 7.1.2), Koncesionari siguron të ardhura që përbëhen nga:
- Tarifa Mujore që do të paguajnë Njësitë Vendore të Qarkut Tiranë në favor të Koncesionarit, e barabartë me 29 Euro pa TVSH për Ton Mbetje Urbane që depozitohen. Kjo tarifë indeksohet me normën e inflacionit çdo vit.
Sasia Minimale e Garantuar e Mbetjeve që duhet të depozitohen në Landfill është përcaktuar 200 750 ton në vit apo 550 ton në ditë. Në çdo rast kur sasia e mbetjeve të depozituara është më e vogël se sasia minimale e garantuar e mbetjeve, atëherë Bashkia Tiranë ka detyrim kontraktual t’i paguajë Koncesionarit diferencën mes vlerës totale të sasisë së Mbetjeve Urbane të dorëzuara Koncesionarit dhe vlerës totale në Euro të sasisë minimale të garantuar të mbetjeve urbane.
2. Të ardhurat që Koncesionari do të përfitojë nga shitja e Energjisë Elektrike të prodhuar nga Impianti i Përpunimit të Mbetjeve.
Çmimi i përcaktuar për shitjen e energjisë së prodhuar është 70 Euro / MWh. Në studimin e fizibilitetit, janë parashikuar të ndërtohen 4 Impiante. Impianti i parë do të përfundojë në muajin e pestë të vitit të dytë të ndërtimit dhe duke filluar nga ky muaj do të jetë funksional në prodhimin e energjisë. Ndërkohë Impianti i dytë do të përfundojë në muajin 9-të të vitit të tretë të ndërtimit. Impianti i tretë do të përfundojë në muajin e parë në vitin e pestë të operimit. Impianti i katërt është planifikuar të mbarojë në muajin e pestë të vitit të gjashtë të operimit dhe duke filluar nga ky muaj do të jetë funksional në prodhimin e energjisë. Sipas Raportit Vjetor të Përmbledhur 2020 të Ministrisë së Financave raportohet se Inceneratori nuk është ndërtuar ende, për shkak të mosmarrjes së lejes së ndërtimit në kohë.
3. Të ardhura nga riciklimi i materialeve, shërbim për të cilin është përcaktuar çmimi në Studimin e Fizibilitetit i barabartë me 70 Euro/ MWh.
Po të krahasojmë të ardhurat totale të deklaruara të Pasqyrat Financiare që merr shoqëria koncesionare në formën e Pagesave Buxhetore për ton mbetje dhe nga format e tjera të aktivitetit (si riciklimi i materialeve, pasi prodhimi energjisë nuk është realizuar ende) rezulton se vetëm për vitin 2020 të ardhurat totale nga aktiviteti janë në vlerën 2.30 miliardë Lekë, prej të cilave 1.28 miliardë janë nga Buxheti Shtetit dhe 1.02 miliardë janë nga tw ardhura të tjera.
Burimi: Open Spending.al, Ministria e Financave dhe Ekonomisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Ndërkohë duke qenë se Impianti nuk është ende operacional rezulton se shoqëria koncesionare ende nuk ka paguar tarifë koncesionare në favor të shtetit shqiptar, e cila sipas Nenit 7.1.3 të Kontratës është në vlerën 2.1% e sasisë së prodhuar të energjisë elektrik nga Impianti i Përpunimit të Mbetjeve. Për sa kohë ende nuk prodhohet energji, kjo vlerë konsiderohet e ardhur e munguar në Buxhetin e Shtetit.
Kontrata e Koncesionit PPP Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit është lidhur në 24 Tetor 2016 mes Ministrisë së Mjedisit (sot në Juridiksionin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë) dhe shoqërisë Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k dhe ka kohëzgjatje 6 vjet.
Kjo kontratë koncesioni është e formës BOT (Build Operate Transfer pra Ndërto, Opero dhe Transfero) dhe është me Mbështetje Financiare nga Buxheti i Shtetit.
Sipas të dhënave në Anekset e Kontratës së Koncesionit PPP ‘Realizueshmëria e ekonomike e projektit’, Qeveria Shqiptare do ti shlyejë investitorit vlerën e plotë të Impiantit (vlerën e investimit) prej 32 831 440 Euro me TVSH apo rreth 4.51 miliardë Lekë për një periudhë kohore 6 vjeçare. Mbështetja Financiare nga Qeveria Shqiptare realizohet nëpërmjet pagesave konstante mujore prej 455 992.8 Euro me TVSH.
Sipas të dhënave në Relacionin e Buxhetit të vitit 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paraqitur vlerën e plotë të kontratës ( që nënkupton totalin e Pagesave që duhet të bëjë Buxheti i Shtetit), e përllogaritur rreth 4.51 miliardë Lekë.
Ndërkohë, për periudhën 2018-2021, për këtë Kontratë Koncesioni janë paguar rreth 2.95 miliardë Lekë nga Buxheti i Shtetit. Pra Qeveria Shqiptare ka detyrim të likujdojë edhe 1.56 miliardë Lekë të tjera, vlerë e cila do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Përveç të ardhurave direkte nga Qeveria Shqiptare, në Kontratën e Koncesionit është përcaktuar se Koncesionari do të marrë të ardhura nga operimi, të siguruara nga prodhimi dhe shitja e energjisë tek KESH sh.a, si dhe të ardhura të parashikuara nga shitja e skrapit të metaleve dhe plastikës.
Në datë 11.09.2020 është nënshkruar një Marrëveshje mes palëve e cila konsistonte në shtyrjen prej nëntë muajsh të afatit të grafikut të përfundimit të punimeve për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane, ku afati përfundimtar u përcaktua data 31 Mars 2021. Megjithatë nuk ka të dhëna të tjera zyrtare të publikuara nëse Impianti ka përfunduar apo ka nisur prodhimin e energjisë.
Kontrata e Koncesionit PPP Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit është lidhur në 16 Dhjetor 2014 mes Ministrisë së Mjedisit (sot në Juridiksionin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë) dhe shoqërisë Albtek Energy sh.p.k, dhe ka kohëzgjatje 7 vite (pra kontrata është parashikuar të përfundojë në fund të vitit 2021).
Kjo kontratë koncesioni është e formës BOT (Build Operate Transfer pra Ndërto, Opero dhe Transfero).
Vlera e plotë e kontratës e deklaruar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në Relacionin e Buxhetit të vitit 2020 është rreth 4,63 miliardë Lekë. Kjo vlerë përfaqëson vlerën e ndërtimit të Impiantit, e cila njëkohësisht është edhe vlera e Pagesave Buxhetore që duhet të bëjë Qeveria Shqiptare për këtë kontratë.
Sipas të dhënave të thesarit të Open Spending Albania rezulton se për periudhën 2015-2021 për këtë kontratë janë likujduar rreth 3,37 miliardë Lekë. Pavarësisht se sipas parashikimeve kontraktore pagesat buxhetore për këtë koncesion duhet të kishin përfunduar në vitin 2021, ende rezulton një shumë prej 1.26 miliardë Lekë e palikujduar nga Qeveria Shqiptare.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në Raportin Vjetor të Përmbledhur, sasia e mbetjeve të rikuperuara në vit e parashikuar në kontratë është 43 200 ton në vit, megjithatë për vitin 2020 janë menaxhuar vetëm 35 777 ton e mbetjeve, për shkak se jo të gjitha Bashkitë e Qarkut të Elbasanit i dërgojnë mbetjet në impiantin e ndërtuar për shkak të kostove të larta transportit. Një çështje problematike e kësaj kontratë është edhe përcaktimi i çmimit të shitjes së energjisë së prodhuar. Për vitin 2020 janë prodhuar 2 763 300 KW energji.
Për këtë Kontratë Koncesioni nuk është parashikuar tarifë koncesionare në favor të Buxhetit të Shtetit.
Sa i përket Juridiksionit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve, Kontrata e Koncesionit të Inceneratorit të Tiranës dhe Inceneratorit të Fierit parashikojnë Juridiksion të Huaj, konkretisht Gjykatën e Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), Paris. Ndërsa Kontrata e Koncesionit Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit përcakton Juridiksion vendas, më konkretisht Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Juridiksioni është Gjykata, Dhoma e Arbitrazhit apo Institucioni i caktuar paraprakisht si Institucion ku palët do të drejtohen për shqyrtim dhe gjykim në rast se kanë konflikte, mosmarrëveshje apo çështje për interpretim.
Burimi: Open Spending.al, Ministria e Financave dhe Ekonomisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Të dhënat për këtë Artikull janë të dhëna zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Relacioni i Buxhetit 2019, 2020, 2021, 2022. Për të dhëna mbi llogaritjen e vlerës së pagesave buxhetore për vitin 2015- 2021 referojuni gjithashtu edhe portalit Open Spending Albania. Të dhëna mbi të ardhurat janë marrë nga Pasqyra Financiare të Publikuara nga vetë Shoqëritë. Pasaporta me të dhëna dhe dokumente për secilin Koncension janë të publikuara në databazën Open Corporates Albania.
Kontrata Koncesionare dhe PPP, në fuqi, të dhëna dhe Dokumente mbi Kompanitë e Regjistruara për Zbatimin e Tyre, janë të publikuara në një format lehtësisht të aksesueshëm dhe të mirë strukturuar në Databazën Regjistri Koncesionar portali OpenCorporates.al. Për më shumë informacion në lidhje me llogaritjet referojuni Excelit më poshtë. Të tjera databaza të Organizatës AIS, janë OpenProcurement.al dhe OpenCorporates.al
Shkarko excel: Inceneratorë me PPP, Mbështetja Financiare nga Buxheti i Shtetit ndër vite, 2015-2024Komente dhe Analiza : Open Data Albania