Janë 9 Procese Zgjedhore për Pushtetin Vendor të rregullta (jo të parakohshme) mbajtur në harkun kohor 1992- 2023. Konkretisht në vitet 1992, 1996, 2000, 2003, 2007, 2011, 2015, 2019 dhe 2023. Në periudhën politike 1991-2023 janë zhvilluar dhe zgjedhje të pjesshme, me garë zgjedhore së parakohshme si rezultat i ndërprerjes së mandateve të Kryetarëve përkatës. 



Tabela: Procese Zgjedhore për Pushtet Lokal sipas Ndarjes Territoriale dhe Administrative
Burimi: Legjislacioni
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Me ndryshimet ligjore të vitit 1992, njësitë vendore përcaktoheshin si “Komuna” “Bashki” dhe “Rrethe”. Në vitin 1992 , përkatësisht më 10 qershor 1992 u miratua ligji nr. 7572 “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal”, që formësonte hartën administrative të vendit  në tre  nivele, përkatësisht 36 rrethe , 44 bashki  dhe 313 komuna.



Burimi: Legjislacioni
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Gjatë periudhës politike 1992-2000, janë realizuar disa ndryshime të pjesshme administrativo-territoriale dhe në vitin 2000 Shqipëria kishte përkatësisht 36 rrethe, 65  dhe 309  komuna.

Me hartën e mësipërme territoriale janë zhvilluar përkatësisht zgjedhjet vendore të viteve 1992, 1996 dhe zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 1998  si zgjedhje të zhvilluara në disa bashki të vendit, përballje zgjedhore për detyrën e kryebashkiakut apo krye komunarit përkatës.

Në vitin 2000 u ndryshua ndarja administrative-territoriale ku identifikimi vendor “Rrethe” u zëvendësua me të ndryshmin “Qarqe” me 12 të tillë. Qarqe që përbëheshin nga “65 Bashki dhe 309  Komuna. Ky ndryshim mbeti në fuqi dhe mbi të njëjtin u realizuan zgjedhjet vendore përkatësisht në vitet 2000, 2003, 2007 dhe 2011.

“MiniBashkia” ishte  një nivel i shtuar i qeverisjes vendore qytetëse  me ndryshimet e përmendura më lart. Të tillat në vitin 2000, aplikoheshin vetëm në  në qytetin e Tiranës ku Bashkia e Tiranës përbëhej nga 11 minibashki. Secila minibashki drejtohej nga kryetarë të zgjidhur me votë të drejtpërdrejtë, dhe secila prej minibashkive kishte dhe këshillin bashkiak të së njëjtës. Në vitin 2000, zgjedhjet për Kryetarin e MiniBashkisë zhvilloheshin me dy raunde zgjedhore kurse në zgjedhjet pas-rendëse përkatësisht në vitin 2003 deri në vitin 2011, zgjedhjet u zhvilluan përmes një raundi zgjedhor. 

Niveli i qeverisjes vendore në rang qyteti i quajtur “MiniBashki” pushoi së funksionuar me ndryshimet e hartës administrativo-territoriale të miratuar në vitin 2014. 

Ndryshimet e vitit 2000 parashikuan dhe zvogëlimin e mandatit të Kryetarit  të Bashkisë përkatësisht nga 4 vite në 3 të tilla. Kjo kohëzgjatje mandati përkatësisht mbeti në fuqi dhe në mandatin pasardhës, përkatësisht për të zgjedhurit në zgjedhjet e vitit 2003.  Mandati (2003-2006) u zgjat deri më Shkurt 2007, për shkak të mos zhvillimit të zgjedhjeve më 2006 si pasojë e krizës politike të kohës.

Viti 2014 shënon ndryshimin e madh të radhës mbi hartën administrative – territoriale të vendit ku përkatësisht më 31 Korrik 2014, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin 115/2014,  “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. 

Ndarja e re territoriale përcakton dy nivele institucionale të qeverisjes vendore përkatësisht “Qarqe” dhe “Bashki” kurse ish-Komunat u shndërruan në zona administrative, pjesë të Bashkive përkatëse ku administratori nuk zgjidhet direkt nga banorët e këtyre njësive administrative, por emërohet nga Kryetari i Bashkisë përkatëse. 

Shqipëria , në ndarjen e re territoriale ka përkatësisht 12 ( dymbëdhjetë) Qarqe dhe 61 ( gjashtëdhjetë e një) Bashki.



Burimi: Legjislacioni
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Harta territoriale e miratuar në vitin 2014 vijon të mbetet në fuqi dhe bazuar në të njëjtën janë zhvilluar zgjedhjet ne vitet 2015, 2019 dhe 2023, gjithashtu.

Në vitet zgjedhore, përkatësisht 1992, 1996 dhe 2000 përfshirë dhe të pjesshmin e vitit 1998, zgjedhjet vendore janë zhvilluar me dy raunde zgjedhore ku i dyti raund zhvillohej nëse asnjëri prej kandidatëve garues nuk arrinte të fitonte 50.01 përqind të votave në raundin e parë zgjedhor. 

Në vitet zgjedhore 2003, 2007,2011, 2015, 2019, 2023 dhe në vijim ( nëse nuk do të ketë ndryshime të tjera), proceset zgjedhore janë zhvilluar me një raund zgjedhor, fakti nënkupton që kandidati fitues përcaktohet përmes fitores me një shumicë të thjeshtë që mund të përcaktohet nga 1 votë e vetme deri në diferencën përkatëse.

Janë 3 procese zgjedhore vendore të konsideruar si të pjesshëm që janë zhvilluar në Republikën e Shqipërisë përkatësisht në vitet ( 1998, 2009 dhe 2022). Në proceset e përmendura më lart, të tillat konsiderohen të pjesshme sepse garimi zgjedhor përfshin një numër më të madh bashkish, minibashkish apo komunash, në numër më të madh se 1(një) të tillë. Të tri proceset janë zhvilluar bazuar në hartat e ndryshme territoriale, varësisht kur të tillat kanë qenë në fuqi. 

Vendi ka njohur dhe disa procese zgjedhore vendore në një numër jo më të madh se 1 Bashki si shkak i dinamikave të ndryshme lokale në Bashkitë përkatëse ku janë zhvilluar këto procese.

Sistemi i zgjedhjeve vendore përcaktohet përmes një sistemi të përzier, përkatësisht përballjes në sistem mazhoritar  ku garuesit për detyrën Institucionale të Kryetarit të Bashkisë përballen nominalisht pavarësisht logos partiake përkatëse që të njëjtët përfaqësojnë, por nga ana tjetër mund të jenë përfaqësues të pavarur apo të përfaqësive në formë “lëvizje qytetare “të krijuara rishtaz për pjesëmarrje në betejën elektorale përkatëse.

Aspekti tjetër që formëson tërësinë e sistemit të përzier në proceset vendore është sistemi proporcional që nënkupton  përballjen politike të logove partiake, lëvizjeve qytetare apo dhe kandidatëve të pavarur për Këshillat Bashkiakë të Bashkive përkatëse. 

Listat përfaqësuese partiake në Këshillat Bashkiakë janë të mbyllura ( votuesi voton për simbolin politik të partisë politike përkatëse, jo për emrin përkatës në listë) , e përcaktuar përmes një renditjeje në rend numerik dhe numri i fituesve për secilën listë përcaktohet nga vota që secila parti politike apo lëvizje qytetare ka arritur sipas bashkisë përkatëse. 

Numri i Këshillave Bashkiakë është i barabartë me numrin e Bashkive dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak zgjidhet përmes shumicës së thjeshtë në Këshillat përkatës, zgjedhja e Kreut të Këshillit Bashkiak mund të realizohet nga një Parti e vetme nëse e njëjta ka shumicën e thjeshtë ose si përcaktim i aleancave të deklaruara para-zgjedhore ose të tilla pas-Zgjedhore që mund të jenë reflektim i konfigurimit politik të Këshillit. Aleancat pas-zgjedhore të formuara në Këshillat Bashkiakë të qyteteve të ndryshme ( mbi të gjitha në të tillat e nivelit të dytë, në kuptimin territorial) nuk shprehin gjithmonë përkatësi të njëjtë me aleancat kombëtare që ndërtojnë Partitë në nivel qendror, në periudha të ndryshme kohore këto aleanca janë dëshmi e realiteteve politike qytetëse.

Numri i Qarqeve është 12 dhe anëtarët e Këshillit të Qarkut zgjidhen pas votës përkatëse në Këshillat Bashkiakë përkatës të Bashkive që përbëjnë Qarkun përkatës, përkatësia politike e anëtarëve është reflektim i ndarjes politike së mandateve në Këshillat Bashkiakë përkatës. Kryetari i Këshillit të Qarkut zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të Këshillit përkatës të Qarkut dhe i njëjti mund të zgjidhet nga shumica e thjeshtë e një partie të vetme ose nga marrëveshjet para ose pas zgjedhore mes forcave politike në nivel Kombëtar ose Lokal.

Shkarko excel: Zgjedhjet për Qeverisje Lokale sipas ndarjes Territoriale-Administrative 1992 – 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Ardit Gjinali