Open Data po analizon të dhënat mbi performancën financiare të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri për vitin 2022. Artikulli gjithashtu realizon një renditje të bankave sipas fitimit operativ total në 11 vite, 2012-2022.
Aktualisht në Shqipëri operojnë 11 Banka të Nivelit të Dytë. Për të analizuar performancën financiare të bankave të nivelit të dytë marren në vlerësim dy tregues të fitimit bankar:
- Fitimi/Humbja para interesave dhe tatimit (EBIT), tregon vlerën e fitimit bruto pa zbritur interesat dhe detyrimet fiskale mbi fitimin (fitimi operativ).
- Norma e kthimit të kapitalit të punësuar (ROCE), tregon eficencën e përdorimit të kapitalit të shoqërisë dhe llogaritet si raport mes EBIT dhe kapitalit të angazhuar (punësuar). Një tregues i lartë i ROCE, tregon se kompania po gjeneron më shumë fitim për çdo lekë të investuar si rezultat i përdorimit efecient të kapitalit.
Për vitin 2022, po t’i referohemi fitimit operativ në vlerë nominale, Banka me nivel më të lartë fitimi është Banka Kombëtare Tregtare, rreth 11.1 miliardë lekë. Banka e dytë, me fitim para interesave dhe tatimit më të lartë, rezulton Raiffeissen Bank, rreth 4.5 miliardë lekë. Të dy bankat ruajnë të njëjtën renditje krahasimisht me periudhën kontabël paraardhëse.
OTP Bank Albania pozicionohet në vend të tretë, me vlerë fitimi 3.8 miliardë lekë. Duke u ngjitur me një pozicion në raport me një vit më parë, Banka Amerikane e Investimeve (ABI) renditet e katërta me 2.1 miliardë lekë fitim vjetor.
Së bashku, BKT, Raiffeissen, OTP dhe ABI, kanë mbledhur mbi 75% të fitimit operativ për vitin 2022 në sistemin bankar shqiptar.
Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Banka e pestë për nga vlera e fitimit vjetor renditet Credins me rezultat 1.54 miliardë lekë (rënie me një pozicion nga viti 2021). Intesa Sanpaolo Bank përjeton ngjitje me tre pozicione në 2022, duke u pozicionuar në vendin e gjashtë, me EBIT 1.52 miliardë lekë.
Renditja vijon me Tirana Bank, 1.3 miliardë lekë fitim operativ (vazhdon të ruaj të njëjtën renditje me vitin 2021). Union Bank realizon fitim vjetor 1.1 miliardë lekë (zbret me dy pozicione). Në vijim të listës, Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me fitim 1.02 miliardë lekë, zbret me një pozicion në raport me vitin 2021.
ProCredit Bank mbyll vitin me 137 milion lekë fitim operativ. Ndërsa Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), rezulton banka e vetme me fitim operativ negativ. Rezultati para interesave dhe tatimit për vitin 2022 regjistron rreth 338 milion lekë humbje.
Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Krahasimisht me vitin 2021, fitimi operativ i sistemit bankar është rritur me rreth 25%, nga 22.2 miliardë lekë në fund të 2021, në 27.7 miliardë lekë në fund të 2022.
Në vlerë BKT rezulton banka me rritje më të lartë fitimi, duke regjistruar 2.4 miliardë lekë më shumë fitim operativ, ndjekur nga OTP me 1.5 miliardë lekë fitim më të lartë se në 2021. Lista vijon me Intesa Sanpaolo (871 milionë lekë), ABI (373 milionë lekë), Raiffeisen (373 milionë lekë), Fibank (303 milion lekë), Tirana Bank (218 milionë lekë) dhe ProCredit (61 milionë lekë).
Union Bank, Credins Bank dhe UBA, përjetojnë EBIT më të ulët se një vit më parë.
Banka me zgjerimin më të lartë të aktivitetit rezulton Intesa Sanpaolo, me EBIT rreth 135% më të lartë se një vit më parë, pasuar nga ProCredit Bank dhe OTP Bank, përkatësisht me 79.6% dhe 66.7% fitim operativ më të lartë në raport me 2021.
Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në njëmbëdhjetë vite, 8 nga 11 bankat aktive, rezultojnë me fitim operativ pozitiv, tre me fitim operativ negativ.
BKT regjistron 82.5 miliardë lekë EBIT për periudhën 2012-2022, banka me të hyrat më të larta. E dyta renditet Raiffeisen, me 35.2 miliardë lekë fitim operativ në 11 vite. Në vend të tretë Intesa Sanpaolo realizon fitim vjetor total për 11 vite 18.5 miliardë lekë.
OTP Bank, me fitim 10.2 miliardë lekë për periudhën 2012-2022, renditet e katërta, ndjekur nga Credins Bank me rreth 10 miliardë lekë EBIT 2012-2022. Union Bank regjistron rreth 5.8 miliardë lekë fitim operativ, pasuar nga Fibank dhe ABI Bank, përkatësish me 4.8 dhe 3.4 miliardë lekë fitim vjetor total për periudhën 2012-2022.
Bankat me fitim operativ negativ për periudhën 2012-2022 rezultojnë ProCredit, Tirana Bank dhe UBA. Humbje më të lartë në 11 vite përjeton Tirana Bank, rreth 4 miliardë lekë. ProCredit regjistron 1.9 miliardë lekë humbje, ndërsa UBA rreth 825 milion lekë.
Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Sa i përket treguesit ROCE, OTP Bank ka normën më të lartë të përdorimit efecient të kapitalit, rreth 22%. Kjo tregon që për vitin 2022, për çdo 100 lekë të investuar në kapital, OTP gjeneron 22 lekë si të ardhura operacionale. Banka e dytë rezulton Fibank me ROCE 21.4%, ndjekur nga BKT me kthim nga kapitali 20.3%.
ABI Bank pozicionohet në vijim me efektivitet kapitali rreth 18.9%, pasuar nga Raiffesien me ROCE 14.9%.
E gjashta për normë përdorimi eficient të kapitalit për vitin 2022 renditet Union Bank, me normë kthimi rreth 14.6 lekë për çdo 100 lekë të investuar në kapital (14.6%). Vijon renditja me Bankën e Tiranës, e cila përjeton normë kthimi nga kapitali rreth 13.2%.
Credins Bank me ROCE 7.5%, pasohet nga Intesa Sanpaolo dhe ProCredit, me kthim kapitali përkatësisht 6.8% dhe 3.4%.
Përdorim joeficient kapitali për vitin 2022 regjistron vetëm UBA, e cila shfaq normë negative kthimi nga kapitali i investuar.
Burimi: QKB, Ekstraktet për secilën Bankë; Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga QKB dhe Pasaportat e Shoqërive të Biznesit të licencuara si Banka të Nivelit të Dytë, të cilat janë lehtësisht të aksesueshme në databazës me të dhëna të hapura opencorporates.al, rubrika Shoqëri Financiare Banka.
Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli