Open Data Albania po zbardh të dhëna për shpenzimet kapitale buxhetore për vitet 2018-2024.
Shpenzime kapitale janë shpenzimet që kryen njësia buxhetore për sigurimin e aseteve të reja publike apo riparimin e atyre të mëparshme dhe jetëgjatësia e të cilave shkon përtej një viti fiskal, si dhe për transferime kapitale. Shpenzimet kapitale financohen nga burime të brendshme dhe të jashtme që shkojnë për investime publike. Aftësia e një Qeverie për të përfituar nga Instrumente të Ndihmës apo Garantimit të huaj, sikurse konsistenca për të realizuar me sukses një projekt të financuar nga Burime të Huaja janë detaje të rëndësishme të buxhetimit dhe menaxhimit financiar.
Këto shpenzime përbëjnë jo më shumë se një të pestën e buxhetit të shteti, pasi pjesa kryesore rreth 75 përqind përbëhet nga shpenzime korrente.
Analiza konsiston në shqyrtimin e të dhënave faktike për pese vitet e fundit buxhetor si dhe planin e 2023 dhe 2024.
Gjatë pesë viteve shpenzimet kapitale kanë ardhur në rritje nga 78.4 në 112 miliardë lekë ose 43 përqind më shumë. Ndërkohë që shpenzimet me financim të brendshëm janë rritur me 24 përqind nga 51.5 në 63.7 miliardë lekë, shpenzimet me financim te huaj rezultojnë 29 përqind më pak në 2022 se në 2018 përkatësisht në 18.7 Miliardë lekë ose 7.5 miliardë lekë më pak se në 2018. Shpenzimet kapitale në planin për vitin 2024 (128.5 mld lekë) rezultojnë më pak se plani më i fundit i 2023 ndryshuar me akt normativ (136.6 mld lekë), megjithatë shpenzimet me financim të huaj rezultojnë më të larta, konkretisht në 44 miliardë lekë në 2024 nga 32.5 milardë lekë në 2023.
Burimi: MFE, tabelat e konsoliduar fiskale vjetore
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Shpenzimet kapitale dominohen nga shpenzimet me financim të brendshëm. Në vitin 2018 shpenzimet për investimet me financim të huaj përbënin thuajse një të treten e shpenzimeve totale kapitale (33 përqind), por kjo peshë ka ardhur në rënie vitet në vijim deri në 26 përqind në 2021 dhe 17 përqind në 2022. Rënia drastike në vitin e fundit kryesisht rezulton sepse në kategorinë e shpenzimeve kapitale regjistrohet dhe fondi i rindërtimit i cili ka një peshë të konsiderueshme me rreth një të katërtën e shpenzimeve kapitale, fond i cili deri në vitin 2021 ishte regjistruar kategori më vete, por pas shumë rekomandimesh nga palët ndërkombëtare u reflektua në buxhetin e 2022. Në vitin 2024 pesha e investimeve me financim të huaj planifikohet në rritje konkretisht në 34 përqind të shpenzimeve kapitale.
Burimi: MFE, tabelat e konsoliduar fiskale vjetore
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në përgjithësi shpenzimet për investime nuk realizohen plotësisht në asnjë vit buxhetor, mesatarisht janë realizuar 91 përqind në këto pesë vite. Megjithatë më problematike rezultojnë ato me financim të huaj mesatarisht 83 përqind, ndërsa ato me financim të brendshëm realizohen rreth 96 përqind. Shpenzimet për investime me financim të brendshëm kanë një hov më të shpejtë në muajin dhjetor pra para mbylljes së vitit fiskal, ku përgjithësisht realizohen thuajse një të tretat e shpenzimeve. Ndërsa shpenzimet me financim të huaj shënojnë performancën më të dobët në 2019 ku u realizuan vetëm 76 përqind të planit të ndryshuar. Referuar planit fillestar, më dobët rezultojnë në 2022 me rreth 54 përqind.
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Ajo çka vërehet në këto vite buxhetore është gjithashtu ndërhyrja e qeverisë për të shkurtuar investimet me financim të huaj dhe për të rritur ato me investime të brendshme, konkretisht nëpërmjet akteve normative për të ndryshuar ligjin e buxhetit fillestar, qeveria ka ndryshuar vazhdimisht këto kategori shpenzimesh. Konkretisht në vitin 2019 zëri i shpenzimeve me financim të huaj u reduktua nga 45.6 në 31 miliardë leke pra 32 përqind më pak. Në 2020 ka një reduktim në masën 20 përqind, në 2021 me 10 përqind dhe në 2022 ka një shkurtim në masë më të madhe nga 34.5 në 22 miliardë lekë ose 36 përqind më pak. Shkurtime janë planifikuar dhe për vitin 2023 konkretisht me 29 përqind ose me 13.1 miliardë lekë më pak në reflektim të ecurisë së punimeve të projekteve, kryesisht në sektorin e infrastrukturës me 9 miliardë lekë pakësim plani.
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Lista e investimeve publike, duke detajuar burimin e financimit, i brendshëm apo i huaj, shoqëron ligjin e buxhetit në Kuvend, por nuk i kalon për miratim këtij të fundit si pjesë e paketës buxhetore. Po kështu, në miratimin e buxhetit faktik, nuk raportohet apo përcillet informacion mbi listën e këtyre projekteve dhe ecurinë e tyre.
Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci