Ndërsa kontratat e partneritetit publik privat në shëndetësi po hetohen për konfliktin e interesit dhe dyshimet për korrupsion, pikëpyetje të reja ngrihen mbi kostot afatgjata të këtyre kontratave në sistemin shëndetësor shqiptar.

Ilir Rrapaj është aksioneri më i madh i kompanisë “SaniService” në kontratën e partneritetit publik privat të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale – i cili u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

Por Rrapaj ishte njëkohësisht edhe klienti më i madh i “SaniService”, duke marrë pagesa prej 1.7 miliardë lekësh ose rreth 16 milionë euro në total përmes dy kompanive të tjera të tij, GlobalSher dhe Albamed 2014 përgjatë viteve 2016-2021.

Të dhënat e siguruara nga hetimi 3-vjeçar i Prokurorisë së Posaçme tregojnë se pasi u shpall fitues i koncesionit, Rrapaj dhe një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh krijuan një rrjet kompanish të reja për t’i ofruar shërbime kompanisë koncesionare “SaniService”.

Këto kompani u faturuan taksapaguesve shqiptarë miliona euro shërbime, ndonëse nuk është e qartë se sa prej punëve u kryen realisht prej tyre.