Shtatë vite pasi në të gjithë vendin u ngrit një sistem kamerash për të monitoruar kontrabandën në pyje, kullat e monitorimit, që kushtuan 1.2 milionë euro, u vodhën dhe u shitën për skrap. Pas shkrirjes së Inspektoratit që i kishte në administrim, Ministria e Mjedisit ka “harruar” t’ia transferojë këto asete Agjencisë Kombëtare të Pyjeve.
Dritan Kurti
Banorët e fshatit Fshat në Bashkinë e Klosit u habitën jo pak, kur në vitin 2016 jo shumë larg banesave të tyre u ngrit një kullë e lartë, metalike. E pajisur me panele diellore, me kamera me kënd rrotullimi 360 gradë, kulla do të shërbente si “polic” për të monitoruar kontrabandën e lëndës drusore, që merrej nga pyjet e Gurit të Bardhë dhe të Xibrit.
“Na thanë: “E kemi vendosur në kthesë, për të zbuluar ata që presin dru në male”, – tregon Halit Zeneli, një banor i zonës, pa ditur të thotë se cilit institucion i përkisnin punëtorët që bënë instalimet. Por, 7 vite më pas, ndërsa kullës i kanë mbetur vetëm hekurat, kontrabanda e pyjeve vazhdon. Askush nuk e di se ku kanë përfunduar kamerat, panelet diellore e pajisjet e tjera, të vendosura aty.