Në vend që të shërbejnë si mjet për të rritur efikasitetin e shërbimeve publike, shumë prej PPP-ve të zbatuara gjatë dekadës së fundit janë shoqëruar me dyshime të thella dhe evidenca konkrete që tregojnë devijimin e tyre nga standardet e qeverisjes së mirë.

PPP-të në Shqipëri kanë kaluar nga një instrument i nevojshëm për investime dhe modernizim në një mekanizëm që sot shoqëria e sheh kryesisht përmes klientelizmit politik, mungesës së konkurrencës dhe vendimmarrjes së centralizuar. Në vend që të shërbejnë si mjet për të rritur efikasitetin e shërbimeve publike, shumë prej PPP-ve të zbatuara gjatë dekadës së fundit janë shoqëruar me dyshime të thella dhe evidenca konkrete që tregojnë devijimin e tyre nga standardet e qeverisjes së mirë. Kjo perceptohet sot jo vetëm nga publiku i gjerë, por edhe nga vetë institucionet ndërkombëtare që kanë paralajmëruar rreziqet fiskale të akumuluara, ndërsa FMN-ja dhe BERZH-i kanë kërkuar publikisht rishikim të kontratave problematike dhe vendosjen e një mekanizmi kontrolli mbi projektet e reja që nuk justifikojnë riskun që i kalojnë buxhetit të shtetit. Në shumë raste, detyrimet e krijuara nga PPP-të nuk pasqyrohen plotësisht në bilancet zyrtare, duke krijuar një boshllëk të rrezikshëm midis borxhit real dhe atij të raportuar, fenomen që FMN-ja e ka vlerësuar si burim kontingjencash fiskale që mund të rëndojnë financat publike për dekada.

Statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave dhe raportet e institucioneve të pavarura tregojnë se vetëm gjatë periudhës 2014–2024, Shqipëria ka nënshkruar mbi 230 kontrata PPP me një vlerë të përgjithshme që tejkalon 2.5 miliardë euro, ndërkohë që më shumë se gjysma e tyre janë firmosur pa konkurrencë efektive. Kjo shifër nuk pasqyron thjesht intensitetin e përdorimit të PPP-ve, por një orientim të tërë politikash që ka devijuar mënyrën si merret vendimi për investimet publike, duke e zhvendosur nga analiza e nevojave reale drejt negociatave të mbyllura dhe partneriteteve me kompani të sapokrijuara. Në terma praktikë, kjo do të thotë se për gati një dekadë, logjika e investimeve publike është drejtuar nga “urgjenca politike” dhe jo nga planifikimi afatgjatë, gjë e cila ka prodhuar projekte të shtrenjta, me kapacitete të papërdorura ose me efekte minimale në zhvillim.

Kjo dinamikë bëhet edhe më shqetësuese kur analizohen rastet konkrete. Hetimet e inceneratorëve, sot shembulli më i referuar i keqmenaxhimit të PPP-ve, ilustrojnë qartë se si kontrata shumëvjeçare, me pagesa të garantuara nga buxheti dhe me mungesë të historikut financiar të operatorëve, u shndërruan në barrë fiskale pa asnjë përfitim real për qytetarët. Raportet e KLSH-së tregojnë se në kontratën e Fierit, diferenca midis kostove të deklaruara dhe investimeve reale kapte shifra mbi 30%, ndërsa në rastin e Elbasanit, mungesa e dokumentacionit mbështetës e bëri të pamundur vlerësimin eh saktë të flukseve financiare. Edhe në sektorin e shëndetësisë, kontratat e sterilizimit dhe check-up-it kanë prodhuar një debat të thellë mbi vlerën reale të shërbimit: kostot e sterilizimit u trefishuan krahasuar me sistemin e mëparshëm, ndërsa analiza e fizibilitetit nuk përputhej me volumin real të ndërhyrjeve kirurgjikale në spitale. Kjo tregon se PPP-të, në vend që të ishin një mjet për rritje të eficiencës, u kthyen në instrumente financiare që gjenerojnë kosto të garantuara për shtetin dhe fitime të garantuara për operatorë të caktuar. Vlerësimet e pavarura të FMN-së theksojnë se shumë prej këtyre kontratave kishin transferim të pamjaftueshëm risku te sektori privat, duke lënë shtetin përgjegjës për riskun operacional dhe financiar, gjë që bie ndesh me parimet bazë të modelit PPP.

Albanian Center for Economic Research (ACER) ka qenë ndër organizatat që ka sinjalizuar me kohë problematikat strukturore: mungesën e kostimeve të detajuara, procedurat e mbyllura, negociatat pa shpallje paraprake dhe rrezikun që projektet të vendosen në funksion të interesave private dhe jo të interesit publik. Roli i ACER në nismën GO-PPP ka sjellë një analizë të re analitike, modelet ndërkombëtare të transparencës dhe rekomandime të bazuara në përvojat e mira të vendeve të tjera.

Një tjetër problematikë që shfaqet qartësisht në analizat e ACER dhe organizatave të tjera monitoruese është fakti se shumë kompani që kanë fituar kontrata të rëndësishme PPP janë regjistruar disa javë apo muaj para shpalljes së tenderit. Sipas të dhënave të QKB-së, rreth 17% e kompanive të përfshira në PPP-të kryesore të dekadës së fundit nuk kanë asnjë eksperiencë të mëparshme në sektorin përkatës, ndërsa kapitali fillestar ka qenë minimal, shpesh vetëm disa mijëra euro. Këto kompani, megjithatë, kanë marrë përsipër projekte që kërkojnë dhjetëra milionë euro investime, duke ngritur dyshime të bazuara mbi financimin real dhe rrjetet e ndikimit që mundësojnë aksesin në kontrata. Në një shtet ku kapacitetet e monitorimit janë të kufizuara, mungesa e transparencës në analizat e riskut dhe fizibilitetit krijon ekosistem ideal për abuzim. Raportet e shoqërisë civile kanë evidentuar se studimet e fizibilitetit, analizat e riskut, parashikimet e të ardhurave dhe dokumentet e tjera që duhet të jenë publikisht të aksesueshme janë klasifikuar si “informacion i ndjeshëm”, duke zhveshur publikun nga e drejta për t’u informuar mbi projekte që paguhen me paratë e tij.

Kjo “kulturë” ka krijuar një fenomen të rrezikshëm: sa më pak të dihet për një kontratë, aq më e lehtë është të manipulohet. Kjo është arsyeja pse shumë prej skandaleve të viteve të fundit nuk janë zbuluar nga institucionet shtetërore, por nga gazetarët investigativ, audimet e KLSH-së dhe raportet e organizatave të pavarura. Megjithatë, përvoja ndërkombëtare tregon se transparenca proaktive përfshirë publikimin e plotë të kontratave, analizave të riskut dhe vlerësimeve të pavarura ka reduktuar ndjeshëm abuzimet në vendet ku këto standarde janë zbatuar me rigorozitet.

Problemi i PPP-ve në Shqipëri nuk është vetë instrumenti, por mënyra si është përdorur: me mungesë transparence, me procedura të mbyllura dhe me konsum të lartë politik. Për të rikthyer PPP-të në shërbim të interesit publik kërkohet një ndryshim rrënjësor: publikimi i plotë i dokumenteve, vlerësim i pavarur ekonomik, konkurrencë reale dhe forcim i institucioneve të kontrollit. Në këtë mënyrë PPP mund të jenë jo një mjet për të favorizuar pakicën, por një mekanizëm modern për të përmirësuar jetën e shumicës. Evidencat tregojnë se në rastet kur PPP-të janë ndërtuar mbi baza të qarta të ndarjes së riskut, me analizë të mirëfilltë vlerës për para dhe me monitorim të pavarur, ato kanë sjellë përmirësim real të shërbimeve publike një përvojë që Shqipëria mund ta adoptojë nëse reformat strukturore zbatohen me integritet.