Organizata AIS dëshiron të shprehë shqetësimet e saj lidhur me disa aspekte kritike të sundimit të ligjit në Shqipëri, me fokus në sektorin e Ndërmarrjeve Shtetërore (SOE) dhe legjislacionin që ndikon në Prokurimin Publik, Partneritetet Publik-Private (PPP) dhe privatizimin e aseteve shtetërore.

1. Sektori i Ndërmarrjeve Shtetërore si Zonë me Rrezik të Lartë

Sektori i ndërmarrjeve shtetërore po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një zonë me rrezik të lartë për korrupsion, mungesë transparence dhe keq menaxhim të burimeve publike. Ligjet dhe ndryshimet e fundit kanë krijuar mekanizma që anashkalojnë ose shmangin kuadrin e përgjithshëm ligjor të Prokurimit Publik, Privatizimit dhe legjislacionit për PPP-të.

2. Ligje Problemative Specifike (Ad-Hoc)

Ligjet që krijojnë mundësi për klientelizëm dhe favorizim përfshijnë:

• Ligji për Krijimin dhe Funksionimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve

Sipas Ligjit Nr. 71/2019 “Për Korporatën Shqiptare të Investimeve”, u krijua Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC). AIC ka krijuar gjithashtu dy kompani bijë nën pronësinë e saj. Në të njëjtën kohë, ajo ka shpallur kontraktimin e disa veprave publike përmes partneriteteve me sektorin privat, si:

  • Godina e Kadastrës Shtetërore;
  • Godina e Bibliotekës Kombëtare;
  • Godina e Shtëpisë së Fëmijës;
  • Pallati i Sportit;
  • Stadiumi “Niko Dovana” në Durrës;
  • Rezidencat Qeveritare në Vlorë.

Projektet që përfshijnë bashkëpunim publik-privat ngjajnë me marrëveshje PPP ose kontraktim publik për ndërtesa shtetërore. Megjithatë, në asnjë rast nuk zbatohet Ligji për Prokurimin Publik ose Ligji për Partneritetet Publik-Private, edhe pse këto ligje janë në masë të madhe të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.

[Akseso dashboard-in me të dhënat mbi Korporatën Shqiptare të Investimeve dhe listën e projekteve të kontraktuara në shmangie të legjislacionit për PPP dhe prokurimin public.]

• Ligji për Krijimin e Ndërmarrjes KAYO në sektorin e mbrojtjes dhe prodhimit ushtarak

Ligji Nr. 88/2024 “Për Krijimin e Shoqërisë Shtetërore për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve, Pajisjeve dhe Teknologjive Ushtarake” përcakton formën juridike, qëllimin dhe objektin e veprimtarisë së kompanisë shtetërore KAYO sh.a.

KAYO autorizohet të negociojë dhe krijojë entitete të përbashkëta me kompani private, duke përfshirë:

  • pjesëmarrje minimale në kapital nga KAYO;
  • të drejtën për të emëruar anëtarë në organet drejtuese të entiteteve të reja.

Në përputhje me këtë kuadër, janë krijuar katër kompani me:

  • 20% pronësi nga KAYO;
  • 80% nga partnerë privatë.

Këshilli i Ministrave, përmes vendimeve specifike (VKM), ka autorizuar prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushtarake përmes entiteteve në pronësi të KAYO. Në këtë proces është anashkaluar Ligji për Prokurimin Publik, pasi këtyre kompanive me pronësi të përzier u jepen kontrata drejtpërdrejt, pa zbatuar procedurat standarde të prokurimit publik.

[Akseso dashboard-in me të dhëna mbi shoqëritë në pronësiKayo dhe Subjekteve Private.]

• Ligji që mundëson transformimin e AKSHI-t në shoqëri aksionare dhe transferimin e aksioneve të ndërmarrjeve shtetërore tek entitete me pronësi të përzier publik-private (ndryshimet e shkurtit 2026)

Ndryshimet në Ligjin Nr. 43/2023 “Për Qeverisjen Elektronike”

Ky ligj u ndryshua dhe u ribotua me miratim zyrtar në shkurt 2026, duke mundësuar kalimin e disa funksioneve të prokurimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) tek “kompani operatorë ICT” me shumicë aksionesh shtetërore (shoqëri aksionare ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve).

Sipas kuadrit të ri:

  • AKSHI ruan rolin rregullator dhe mbikëqyrës;
  • por nuk zhvillon më procedura konkurruese të prokurimit publik për sistemet kryesore dixhitale shtetërore, si infrastruktura GovTech dhe platforma e-Albania.

Teksti i ndryshuar u miratua dhe u publikua në Fletoren Zyrtare në shkurt 2026 si akt formal legjislativ që ndryshon Ligjin Nr. 43/2023.

Ndryshimet në Ligjin për Parqet Teknologjike dhe Shkencore (Ligji Nr. 58/2022)

Parlamenti ka shqyrtuar dhe avancuar një projektligj që propozon shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 58/2022 “Për Krijimin, Organizimin dhe Funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore”.

Këto ndryshime synojnë:

  • të lejojnë blerjen e aksioneve dhe strukturat me pronësi të përzier mes entiteteve publike dhe kompanive private brenda parqeve teknologjike;
  • të mundësojnë që ndërmarrjet e reja shtetërore të kontraktojnë produkte dhe shërbime publike me çmime preferenciale, duke anashkaluar procedurat standarde konkurruese të prokurimit publik.

Këto ligje i japin Këshillit të Ministrave kompetenca të zgjeruara që:

  • dobësojnë ndarjen dhe balancën e pushteteve;
  • zbehin rolin mbikëqyrës të Parlamentit;
  • krijojnë një sistem paralel vendimmarrjeje me rrezik të lartë për klientelizëm dhe favorizim ndaj aktorëve të përzgjedhur.

3. Rritje e Rreziqeve të Korrupsionit dhe Ndikimit Jo-Transparent

Ligjet dhe praktikat aktuale lejojnë që kontratat dhe investimet të jepen nën ndikim të fshehtë ose jo-transparent në sektorë kritikë publikë. Kjo dëmton:

  • transparencën;
  • konkurrencën e ndershme;
  • përdorimin efikas të burimeve publike.

Ky proces lidhet drejtpërdrejt me:

  • rritjen e rrezikut të korrupsionit;
  • mundësinë që kontratat të jepen nën ndikim të padeklaruar;
  • dobësimin e mbikëqyrjes parlamentare;
  • përqendrimin e pushtetit vendimmarrës në degën ekzekutive.

4. Papajtueshmëria me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA)

Legjislacioni dhe praktikat e zbatuara në sektorin e ndërmarrjeve shtetërore bien ndesh me kërkesat e MSA-së, veçanërisht përsa i përket transparencës dhe konkurrencës në privatizimin e aseteve shtetërore dhe kontraktimin publik.

Konkretisht:

• Neni 70 i MSA-së – Përafrimi i legjislacionit dhe zbatimi i rregullave të konkurrencës

Legjislacioni special dhe ndryshimet që shmangin rregullat standarde, duke lejuar kompani me pronësi të përzier të marrin kontrata pa procedura konkurruese, bien në kundërshtim me këtë dispozitë.

• Neni 72 i MSA-së – Ndërmarrjet publike

Përjashtimet ligjore që i japin Këshillit të Ministrave kompetenca të zgjeruara mbi ndërmarrjet shtetërore dhe privatizimin e aseteve shtetërore bien ndesh me kërkesat për menaxhim të drejtë dhe transparent të ndërmarrjeve publike.

• Neni 74 i MSA-së – Kontratat publike

Dhënia e kontratave pa tender ose pa procedura konkurruese, veçanërisht kompanive me pronësi të përzier, cenon parimet e konkurrencës së hapur dhe transparencës në prokurim.

Kjo situatë:

  • rrit rrezikun e korrupsionit dhe klientelizmit;
  • dobëson mbikëqyrjen parlamentare;
  • favorizon centralizimin e vendimmarrjes në degën ekzekutive;
  • bie në kundërshtim me standardet e BE-së dhe detyrimet ligjore të Shqipërisë sipas MSA-së.

Gjatë katër viteve të fundit, në Shqipëri janë krijuar afërsisht 51 kompani të reja shtetërore ose me pronësi të përzier (joint-venture).

5. Rekomandime për Raportin e Ardhshëm mbi Sundimin e Ligjit

AIS rekomandon që raporti i ardhshëm mbi Sundimin e Ligjit të:

  1. Identifikojë sektorin e ndërmarrjeve shtetërore si zonë me rrezik të lartë për korrupsion dhe klientelizëm.
  2. Të shprehë shqetësim për ligjet dhe ndryshimet që anashkalojnë legjislacionin për Prokurimin Publik dhe PPP-të, si dhe që zgjerojnë kompetencat e ekzekutivit mbi asetet publike.
  3. Të vlerësojë ndikimin e këtyre ligjeve mbi ndarjen e pushteteve dhe dobësimin e mbikëqyrjes parlamentare.
  4. Të kërkojë harmonizim të plotë të legjislacionit dhe praktikave me standardet e BE-së dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
  5. Të rekomandojë forcimin e mekanizmave të transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes parlamentare mbi privatizimin, dhënien e kontratave dhe menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore.
  6. Të monitorojë ndikimin e këtyre ligjeve në rritjen e rreziqeve të korrupsionit dhe klientelizmit, veçanërisht në sektorët strategjikë publikë.