Deficiti është tejkalimi i shpenzimeve ndaj të ardhurave të Buxhetit të Shtetit. Në grafikun në vijim jepen tre treguesit më të rëndësishëm financiar të një vendi, të ardhurat, shpenzimet dhe diferenca mes të tyre, i njohur si deficiti.


Në vitin 2001 (vit i zgjedhjeve të përgjithshme) pati një rritje të deficitit kundrejt vitit 2000, duke pasqyruar ndikimin që vazhdonin të kishin zgjedhjet mbi zbatimin e politikës fiskale. Ky deficit u thellua kryesisht në muajin Qershor, për shkak të shpenzimeve shumë të larta kapitale (rreth 70% më shumë se parashikimi për atë periudhë). Pas vitit 2001 deri në vitin 2003 vërehet një ulje e deficitit fiskal, si pasojë e një ritmi rritës të të ardhurave më të lartë se sa ritmi rritës i shpenzimeve. Duhet theksuar se ky trend zbritës ishte zbatim i objektivit fiskal të qeverisë për të ulur deficitin buxhetor derin në vitin 2005 në 5.8% të PPB-së. Për këtë arsye, mosrealizimi i parashikuar i të ardhurave (viti 2002) u shoqërua edhe me një kontroll të rreptë të shpenzimeve.

Akoma më mirë pasqyrohet situata në vitin 2003, ku deficiti u ul me 11% krahasuar me vitin 2002, kryesisht falë shpenzimeve të ulta, por edhe disiplinës fiskale. Ky kontroll fiskal u reflektua edhe në normën e ulët të inflacionit për vitin 2003. Viti 2004 rikthen rritjen e deficitit, por gjithsesi, ai vazhdonte të ishte në masën 4.9% e PBB-së si një vit më parë. Shkaku kryesor ishte rritja e lartë e shpenzimeve për mbrotje sociale dhe investimet në shëndetësi dhe arsim.

Në vitin 2005 shënohet ulja më e madhe e deficitit që nga viti 1997 me 26%, si pasojë e zbatimit të masave të suksesshme për reduktimin e tij. Theksi kryesor u vendos në rritjen e të ardhurave, por mbi të gjitha në uljen e shpenzimeve. Në tremujorin e fundit, shpenzimet u ulën me 6.1%. Duhet nënvizuar se rol në përmirësimin e deficitit nisën të luajnë edhe shpenzimet më të ulta për interesa, si pasojë e normave të ulta në tregun e huamarrjes, por edhe nga ulja e raportit të borxhit publik ndaj PBB-së.

Prej vitit 2006, ka një rritje të vazhdueshme të deficitit, i cili arrin në masën maksimale në vitet 2008, 5.5% të GDP-së dhe në vitin 2009, 7% të GDP-së, për shkak të natyrës ekspasioniste të politikës fiskale. Këto janë ndër normat më të larta të deficitit të përjetuara ndonjëherë nga financat shqiptare, e shkaktuar nga një rritje e shpenzimeve për investime, kryesisht për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Mbarimi i financimit të kësaj rruge shoqërohet edhe me një rënie të deficitit në vitin 2010 me 54%.