Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë të ardhura që vilen nga të gjitha llojet e taksave dhe tatimeve që zbatohen nga Qeveria Qëndrore. Në to përfshihen 6 kategori kryesore: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin, Akciza, Tatimi mbi të Ardhurat Personale, Taksat Doganore dhe Taksat Nacionale e të tjera.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat përbëjnë zërin kryesor në sigurimin e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit. Ndër vite vihet re një performancë gjithmonë e më e lartë e këtyre të ardhurave, gjë që përgjithësisht reflekton përmirësimin e menaxhimit të financave publike, të sistemit të mbledhjes së të ardhurave dhe klimës së biznesit. Në vitet 2000-2005 ka pasur një rritje mesatare 11% në vit, ndërkohë që rritja më e lartë është shënuar në vitet 2006-2007-2008 përkatësisht me 14% në dy vitet e para dhe 16% në vitin e fundit. Pas vitit 2009 fillojnë të shfaqen shenjat e para të ndikimit të krizës globale, me një rritje vetëm 2% ndërsa në vitin 2010, me 7%.

Duhet theksuar se në ndryshimin e secilit zë përbërës të të ardhurave doganore dhe tatimore, si në vlerë absolute ashtu edhe në atë relative nga viti në vit kanë ndikuar ndjeshmërisht edhe politikat fiskale që janë zbatuar nëpër periudhat përkatëse. Gjithsesi, siguruesi kryesor i të ardhurave tatimore vazhdon të jetë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me rreth 50%, Akciza në vend të dytë, ndërkohë që Tatimi i të Ardhurave Personale (TAP) dhe Tatimi mbi Fitimin kanë shkëmbyer vendet me njëra-tjetrën përgjatë viteve.