Financimi i deficitit është përdorimi i fondeve hua për të mbuluar shpenzimet qeveritare që nuk financohen nga të ardhurat. Në bazë të origjinës së fondeve, financimi ndahet në të brendshëm dhe në të jashtëm (i huaj). 

Sipas BIS, Eurostat, FMN, OECD, Paris Club, UNCTAD e Bankës Botërore: Borxh i jashtëm, në një kohë të caktuar, është shuma aktuale e detyrimeve jo rastësore, që kërkojnë pagesa të ardhme të principalit dhe/ose të interesave nga debitori të borxhit që kanë marrë rezidentët e një ekonomie prej jo-rezidentëve.

Me “jo-rezidentë” kuptohen personat, institucionet apo  qeveritë e huaja. Gjithsesi, në dinamikën që ka filluar të ketë tregu i borxhit në ditët e sotme, do bëhet gjithmonë e më e vështirë të realizohet një ndarje e saktë midis borxhit të brendshëm e atij të jashtëm. Për sa kohë borxhi merret nga bankat apo institucionet e tjera, origjina e fondeve është lehtësisht e identifikueshme, por me hedhjen e Eurobondit në treg, gjërat komplikohen pasi është gati e pamundur të gjendet rezidenca e blerësve në tregun sekondar.

Mbështetësi kryesor në financimin e deficitit kanë qenë fondet e brendshme, përvec vitit 2008, kur fondet e huaja përbën 60% të strukturës si pasojë e një huamarrjeje prej 31.87 miliadë lekësh për projektin “Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash”. 

Një ndër zërat kryesor të financimit të brendshëm kanë qenë edhe të ardhurat nga privatizimet. Ato kanë marrë një rol rëndësishëm sidomos pas viteve 2000, për të arritur kulmin në 2009-n.

Në vitin 2000 privatizimet financuan 22% të deficitit dhe ishin në një masë më të lartë se sa ajo e parashikuar, duke bërë që të mos rritej më tej nevoja e Qeverisë për financim nga sistemi bankar. Edhe në vitin 2001, të ardhurat nga privatizimet shënuan një shifër të lartë, 28 miliardë lekë apo 30% e Deficitit. Ato u përdorën, së bashku me financimin e huaj, për të mbuluar shpenzimet shumë të larta për pjesën e parë të vitit (Viti 2001 ishte vit i zgjedhjeve të përgjithshme elektorale. Ai u karakterizua nga shpenzime shumë të larta kapitale në 6 mujorin e parë) . Ndërsa në pjesën e dytë, deficiti u financua nga huaja bankare.

Viti 2004 shënon rikthimin e të ardhurave nga privatizimet. Privatizimi i ish Bankës së Kursimeve mundësoi përballimin e një pjese të deficitit si dhe reduktimin e  borxhit publik. Në vitet 2005 dhe 2006 u ngrinë proceset e privatizimit të ndërmarrjeve të rëndësishme, pasi u rishqyrtua dokumentacioni i kompanive të interesuara. Ndërkohë që në vitin 2007 u realizua privatizimi i shoqërisë Albtelekom. Kjo coi në ulje të emëtimit të letrave me vlerë, krahasuar me dy vitet paraardhëse dhe rritjen e financimit të deficitit me të ardhura nga privatizimet. Viti 2008 u pasua me privatizimin e kompanisë ARMO dhe me një ulje të mëtejshme të huamarrjes së brendshme, pasi peshën kryesore në përballimin e deficitit e mori borxhi i jashtëm.

Viti 2009 është ndërthurje e shumë elementëve: deficit i lartë, të ardhura të larta nga privatizimi, borxh i brendshëm i lartë. Privatizimet e ndërmarrjeve me karakter shtetëror ishin rreth 25 miliard lekë, ndërkohë u morën borxh 43 miliardë lekë të tjera, duke bllokuar kreditimin e biznesit vendas. Megjithatë, vitet në vazhdim, shoqërohen më një ulje të ndjeshme të financimit të brendshëm, pasi edhe deficiti tkurret.