Në vendin tonë janë 38 universitete private me 322 programe studimi, por numri i programeve të akredituara është shumë i ulët, po ashtu edhe universitetet e akredituara janë vetëm 14. Sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së Arsimit, të cilat janë përpunuar nga “open.data.al” vetëm 25 për qind e programeve janë akredituar. Problemi qëndron se pjesa më e madhe nuk kanë bërë as kërkesën për akreditim, pasi në proces sipas të dhënave janë 20 programe.

Akreditimi është procesi nëpërmjet të cilit realizohet certifikimi i besueshmërisë, autoritetit, mundësisë dhe aftësisë. Në arsimin e lartë, akreditimi është një proces sigurimi cilësie, gjatë të cilit, një organizëm i jashtëm (në rastin tonë agjencia publike e akreditimit për Arsimin e Lartë) vlerëson përputhjen e shërbimit dhe aktivitetit të Universiteteve apo programeve të tij me standardet.

Akreditimi

Një anë shumë e rëndësishme e arsimit të lartë është cilësia e tij. Agjencia e akreditimit, është përgjegjëse për vlerësimin e jashtëm të programeve dhe institucioneve publike dhe private të Arsimit të Lartë përpara licencimit të tyre dhe gjatë zhvillimit të veprimtarisë. Ajo duhet të kryej edhe analiza dhe vlerësime sistematike krahasuese midis universiteteve dhe programeve të tyre. Akreditimi është procesi nëpërmjet të cilit realizohet certifikimi i besueshmërisë, autoritetit, mundësisë dhe aftësisë.

Nëse institucionet e arsimit të lart ose programi merr vlerësim negativ nga Agjencia e Akreditimit, atëherë ky institucion ose program nuk njihet zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë, për rrjedhojë diploma që studentët fitojnë nuk është e vlefshme. Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 38 universitete private, me rreth 322 programe studimi.

Një pjesë e tyre janë licencuar, akredituar, janë në proces akreditimi ose me kusht, ose nuk kanë fituar asnjë nga këto. Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Arsimit, të cilat janë publikuar nga “Open Data Albania”, vetëm 25% e programeve të universiteteve private janë akredituar.

Në vijim të procesit janë 20 programe, ndërkohë që pjesa më e madhe janë ende të pa akredituar. Akreditimi i universiteteve private merr një rëndësi të veçantë për publikun, pasi janë institucione të reja dhe jo shumë të konsoliduara. Ndërsa për arsimin publik është krijuar një traditë dhe një opinion i fituar ndër vite, informacioni i vetëm për të gjykuar mbi morinë e universiteteve private në qarkullim, për momentin mbetet akreditimi, i cili supozon plotësimin e standarteve.

Sipas zëdhënëses së programit “Open data Albania”, Aranita Brahaj, interesante është prezenca e institucioneve “të palicencuara dhe paakredituara”, sidomos e programeve Bachelor apo Master, të cilat nuk kanë marrë akoma miratimin as nga Këshilli i Ministrave për fillimin e punës. Me fjalë më të thjeshta, janë aktivitete që as nuk duhet të ekzistonin, pasi marrja e licencës është hapi i parë drejt krijimit të një programi.

Ajo që përbën interes në këtë mes është sjellja e publikut kundrejt institucioneve të arsimit të lartë privat, me programe të paakredituara. “Open Data” në publikimin e vetë arsyeton se “Nëse një student është pjesëmarrës i një programi ende të paakredituar, ai: ose është i sigurt që institucioni do e fitojë akreditimin, ose nuk ka informacion mbi riskun që po përballet sepse nëse programi nuk akreditohet, ai do të gjendet në dorë me një diplomë të pavlefshme”. Deri tani, janë akredituar 14 universitetet private nga 38 që do të thotë më pak se 50%.