Fondi i Zhvillimit të Rajoneve ka tenderuar rreth 33 projekte investimi me vlerë mbi 3.3 miliardë lekë pa TVSH.

Prej këtij investimi kanë përfituar rreth 25 njësi të qeverisjes vendore në një periudhë kohore 7 mujore. Nëse ju referohemi vlerave më të larta të përfituara nga këto tendera është Bashkia e Tiranës dhe e Krujës që janë më të financuarat.

Sipas të dhënave të Open Data Albania, bashkitë që kanë tenderuar më shumë se një investim me buxhetim nga ky Fond, janë: Bashkia Ura Vajgurore me 3 tendera, Bashkitë Tiranë, Memaliaj, Divjakë, Elbasan, Patos, Pukë dhe Gjirokastër.

Në total fondi limit i këtyre investimeve është shpërndarë në 94% e totalit të vlerës së vënë në dispozicion nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, tek bashki të drejtuara nga kryebashkiak nga forca politike të majta dhe 6% drejt bashkive drejtuar nga kryebashkiak të forcave politike të djathta.

Nëse shikojmë sipas projekteve, vlerën më të lartë të financimit e ka përfituar investimi për Rikualifikimin Urban të Sheshit Skënderbej, Faza e Parë, pasuar po nga një investim në Bashkinë e Tiranës, si dhe është Rikualifikim Urban i Bllokut nr.1.

Projekti i tretë sipas tenderimeve me vlerë më të financuar për këtë periudhë, është zgjerim i rrugës hyrëse të qytetit të Krujës, parkimi dhe Rikualifikimi i Qendrës së Qytetit.

Ajo që bie në sy në financimet për projekte të zonave më me pak zhvillim, në veri të vendit, është mbështetja për programe me impakt kryesisht estetik, argëtues e edukues si rikualifikim godinash apo ndërtime palestrash.

Kjo kundrejt investimeve më utilitare dhe më me impakt zhvillimor të infrastrukturës bazikë si rrugë, ujësjellës dhe facilitete urbanistike.