Gjatë 20 viteve të fundit, arsimi është konsideruar si prioritet në programet e çdo qeverie, por më shumë në letër dhe fjalë sesa në vepra konkrete. Nga një studim i kryer nga Open Data Albania, rezulton se gjatë 20 viteve të fundit, përqindja e buxhetit për arsimin kundrejt totalit të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit ka pasur shumë oshilacione. Ky tregues ka pësuar rënie në periudhën 1995-2001, si pasojë e krizës fiskale në vitet pas ’90 dhe krizës së përgjithshme pas vitit 1997. Pas kësaj periudhe, qeveria mori masa për të mbrojtur shpenzimet për arsimin nga luhatjet e të ardhurave fiskale. Dhe në fakt, që prej vitit 2001 vërehet një rritje e zërit të arsimit në Buxhetin e Shtetit. Viti 2003 shënon rritjen më të lartë, duke shkuar nga 11.3% që ishte në 2002, në 15.5%.
Ndërkohë që pas vitit 2007, vërehet një stanjacion në nivelin 15%. Interesant është qëndrimi që është vendosur të mbahet ndaj buxhetit të arsimit pas krizës botërore. Ndërsa shumë shtete po i përgjigjen krizës nëpërmjet investimit në kapitalin human, si një mundësi për daljen dhe lehtësimin e pasojave të saj, buxheti i arsimit për vitin 2010 është tkurrur me 3%, krahasuar me vitin 2009. Ndërkohë, edhe pse për vitin 2011 është parashikuar një rritje e fondeve, duhet pritur ecuria e realizimit të të ardhurave në 6 mujorin e parë për të parë qëndrimin që do mbahet kundrejt shpenzimeve të secilit sektor, përfshi këtu edhe arsimin e nëse ky i fundit do të shoqërohet më ulje të buxhetit.
Gjatë studimit të grafikut nga 1995-2011, shikohet se buxheti i alokuar për arsimin ka qenë përgjithësisht në rritje të vazhdueshme. Aktualisht, ne shpenzojmë 5 herë më shumë se sa në vitin 1995, por vetëm 2.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) kundrejt 3.7% në 1995-sën. Kthesë e rëndësishme për buxhetin e arsimit ka shënuar viti 2003, në të cilin ai ishte 25% më i lartë se sa një vit më parë si dhe viti 2007, ku bie në sy dukshëm shkëputja që ka pësuar financimi edhe për vitet në vazhdim. Megjithatë, rritja në vlerë absolute e buxhetit për arsimin nuk përbën shumë interes nëse duam të zbulojmë rëndësinë që i është kushtuar atij ndër vite. Në kushtet kur të ardhurat buxhetore rriten, natyrshëm që edhe fondet për sektorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe arsimin, rriten. Për këtë arsye, janë analizuar edhe peshat që zë buxheti i arsimit kundrejt Buxhetit total të Shtetit dhe kundrejt PBB.
Pesha e buxhetit për arsimin ndaj PBB
Përqindja e shpenzimeve publike për arsimin mbi PBB është tregues i prioritetit që i jep një vend arsimit në raport me alokimin e gjithë burimeve që ka në dispozicion. Por nga sa vërehet, gjatë 1991-2011, pesha ndaj PBB ka ardhur në rënie të vazhdueshme nga 5% në vitin 1991, në 3.7% në 1995-sën, e deri në 2.8% në vitin 2002, një periudhë gjatë së cilës domosdoshmëria për fonde ishte shumë e lartë për të mbështetur rritjen e cilësisë dhe riorganizimin e sistemit arsimor. Deri në vitin 2009, pesha ndaj PBB ishte mesatarisht 3.2% dhe vetëm në vitin 2010 ajo ra sërish nën 3%, për t’u ulur akoma më shumë në 2011-tën në 2.8%. Duhet theksuar se buxheti i arsimit ndaj PBB-së ka qenë vazhdimisht më i ulët se mesatarja e vendeve të OECD-së. Kështu, në vitin 2004, mesatarja e OECD-së shënonte 4.5%, ndërsa e Shqipërisë 3,4%. E njëjta situatë edhe në vitin 2007. Mesatarja e vendeve të OECD-së ishte 4.6%, ndërsa e Shqipërisë 3,2%.
Financimi i arsimit
Financimi i arsimit bën pjesë në përgjegjësitë e përbashkëta të qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, për rrjedhojë, edhe fondet për të vijnë nga Buxheti Qendror, Buxheti Lokal, por edhe nga të ardhura jo buxhetore, si komuniteti i prindërve apo tarifa për shërbime të ndryshme. Megjithatë, burimi kryesor i financimit është Qeveria Qendrore. Kur flitet për Buxhetin për Arsimin nënkuptohet së pari, financimi i katër programeve kryesore: arsimi bazë, i mesëm, universitar dhe prej 2005-sës, fonde për shkencën. Dhe së dyti, shpenzime për disa kategori: paga, kontributet përkatëse për sigurime, materiale mësimore, etj, si dhe investime kapitale për të gjitha institucionet arsimore dhe administratën. Rëndësia që ka arsimi në zhvillimin e një vendi, bën që buxheti i përcaktuar për të, rrallë herë të kalojë pa debate. Ai është prioritet në hartimin e çdo strategjie, por pa mbështetje të mjaftueshme me fonde, objektivat e vendosur është shumë e vështirë që të arrihen.
