Në fund të vitit 2010 numri i të papunëve në Shqipëri ishte zyrtarisht sipas Institutit të Statistikave 143 mijë vetë. Këta janë persona, të regjistruar në zyrat e punësimit, të cilat kërkojnë punë, por që nuk mund të gjejnë një të tillë.

Krahasuar me vitin 2001 numri i të papunëve është ulur në total vetëm me 37 mijë vetë ose gati 3700 vet në vit. Por përtej ritmeve shumë të ulëta të reduktimit të papunësisë, të dhënat e INSTAT vënë në dukje edhe një problem tjetër jo të vogël me tregun e punës në Shqipëri, atë të papunësisë afatgjatë.

Një person quhet i papunë afatgjatë, nëse ka më shumë se 1 vit i regjistruar në zyrat e punësimit. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, 2 në tre të papunë, janë afatgjatë. Dhe ky është një tregues që në vite nuk ka patur asnjë përmirësim dhe ka mbetur në shifra të njëjta e madje me tendenca përkeqësimi krahasuar me vitet e para të tranzicionit.

Përqindja e lartë e papunësisë afatgjatë sinjalizon sipas ekspertëve dy probleme. Së pari se ekonomia nuk krijon vende të reja pune, por vetëm sa kompenson ato që mbyllen. Dhe së dyti ata që janë të papunë duken të destinuar të mbeten të tillë për shumë kohë, pa të ardhura dhe në kufijtë e varfërisë. Ky fakt mbështet edhe nga një e dhënë tjetër. Shanset për punësim në Shqipëri janë të lidhura ngushtë me arsimimin.

Por sipas ”Open Data Albania”,  projekt i fiancuar nga SOROS, më shumë se 97.4 për qind e të papunëve aktualisht janë me arsim tetëvjecar ose të mesem dhe vetëm 2.6 për qind e tyre kanë kryer arsimin e lartë. Kjo do të thotë se për shumicën e tyre, gjetja e një pune nuk do jetë e lehtë.