Arsimi, Shqipëria e parafundit në rajon

Studimi: Leme pas vetem Turqine per parate qe jep shteti

Shqipëria renditet në vendet e fundit të listës së vendeve të rajonit dhe BE-së sa i takon parave që shpenzon për arsimin. Sipas një studimi të publikuar nga “Open Data“, nga 12 vende të marra në krahasim ne renditemi në vendin e 11-të, duke lënë pas vetëm Turqinë. Ndërkohë që qeveria shqiptare jep vetëm 2.8 për qind të PBB-së për investime në arsim, mesatarja e BE-së është 5.1 për qind, gjë që tregon se arritja e standardeve në këtë fushë do të jetë një proces i vështirë.

Statistikat

Të dhënat e marra në studim i përkasin një periudhe rreth 10-vjeçare, duke filluar që nga viti 1998 dhe deri në vitin 2007. Ajo që vihet re fare qartë në grafikun e këtij studimi, është vendi i parafundit që zë Shqipëria, mes 12 vendeve të rajonit. Sipas analizës së Open Data, e cila ka publikuar edhe të dhënat sa i përket rajonit, ne lëmë pas vetëm Turqinë, ndërkohë që buxheti për asrimin ka ardhur duke u ulur vitet e fundit. “Qiproja është shteti që investon më shumë nga prodhimi i saj i Brendshëm Bruto në arsim, mesatarisht 6.4 për qind.

Pas saj vjen Sllovenia me 5.68 për qind dhe Hungaria me 5.15 për qind. Këto tre vende janë edhe mbi mesataren e BE-së prej 5.1 për qind, – thuhet në analizën e Open Data. – Shqipëria është ndër vendet e fundit në rajon për përqindjen e buxhetit të arsimit kundrejt PBB-së. Ajo lë pas vetëm Turqinë, ndërkohë që është shumë larg mesatares së BE-së. Me trendin zbritës që ka marrë ky tregues vitet e fundit për Shqipërinë, duke shkuar në 2.8 për qind për 2011-n, mund të thuhet se kapja e standardeve të BE-së për shpenzimet në arsim ngelet ende një iluzion”. Ndërkohë që në vitin 2007 buxheti i dhënë për arsimin zinte 3 për qind të PBB-së për vendin tonë.