Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi kredidhënien e bankave ndaj individëve në Shqipëri gjatë viteve të fundit, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë.
Lloji i kredisë sipas qëllimit është ndarë në kategoritë: pasuri të paluajtshme, mallra të qëndrueshme, mallra jo të qëndrueshme, ushtrim aktiviteti dhe overdraft.
• Pasuria e paluajtshme përfaqson kreditë për blerjen e banesave dhe tokave.
• Mallrat e qëndrueshme përfaqsojnë blerjen e mallrave afatgjatë si psh: autoveturat dhe mobiljet.
• Mallrat jo të qëndrueshme përfaqsojnë marrjen e kredive konsumatore, psh: kredi për pushime, apo shkollim.
• Ushtrimi i aktivitetit përfaqson marrjen e kredisë për hapjen e bizneseve private.
• Overdrafti është një kredi afatshkurtër mbi llogarinë rrjedhëse.
Nga të dhënat e vitit 2011 (deri në fund të muajit janar), rezulton se kredidhënia bankare sipas qëllimit paraqitet si më poshtë:
Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA
Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, pjesa më e madhe e kredisë ndaj individëve është dhënë për blerjen e pasurive të paluajtshme (100.6 miliardë lek), e ndjekur nga blerja e mallrave jo të qëndrueshme (16.2 miliardë lek), kredia për ushtrimin e aktivitetit (11.6 miliardë lek), blerja e mallrave të qëndrueshme (7.7 miliardë lek) dhe overdrafti (6.1 miliardë lek).
Konkretisht, e ndarë sipas peshave në totalin e huadhënies situata gjatë viteve paraqitet sipas grafikut:

Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA
Në vitin 2011, në totalin e kredidhënies të sistemit bankar, pasuria e paluajtshme zë rreth 70.7%, blerja e mallrave jo të qëndrueshme rreth 11.4%, ushtrimi i aktivitetit 8.1%, mallrat e qëndrueshme 5.4% dhe overdrafti 4.3%. Gjatë viteve të fundit, vihet re një rritje e peshës së kredive për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të mallrave jo të qëndrueshme, dhe një ulje e peshë së kredive për ushtrim aktiviteti dhe blerjen e mallrave të qëndrueshme.
