Si një ndër kushtet kryesore për një jetë normale të qytetarëve dhe zhvillim sa më të mirë të ekonomisë, sigurimi i energjisë elektrike është kthyer në sfidë për cdo shtet. Kërkesa për të vjen gjithmonë në rritje dhe planifikimi i fluksit të energjisë elektrike është parakusht për një situatë energjitike nën kontroll.

 

Burimi: Bilanci i energjisë, INSTAT

Burimet gjithsej përfaqësojnë alternativat e mundshme për sigurimin e energjisë. Një vend mund ta prodhojë vetë atë ose, kur prodhimi është i pamjaftueshëm, mund ta importojë. Kjo është arsyeja që prodhimi dhe importi janë pothuajse pasqyrim i njëri-tjetrit. Sa më pak të prodhohet, aq më shumë do importohet dhe anasjelltas.

Sic mund të shikohet, burimet gjithsej, që i korrespondojnë sasisë totale të energjisë të siguruar gjatë një viti, kanë pasur uljet dhe ngritjet e tyre. Për sa kohë që kanë ekzistuar ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike, nuk mund të bëhej njëjtësim midis burimeve dhe kërkesës për energji. Vetëm pas vitit 2008, ku ndërprerjet kanë ardhur si pasojë e ndërhyrjeve për remont, mund të bëhet një vlerësim i besueshëm i kërkesës së energjisë, pasi burimet kanë qenë të mjaftueshme për ta kënaqur tregun. 

Vitet 2001, 2002 dhe 2007, që janë vitet me burimet më të vogla përfaqësojnë edhe periudhat me krizat më të mëdha energjitike në vend.

Në grafikun e prodhimit, gjëja e parë që bie në sy është mbizotërimi i tij si burimi kryesor në sigurimin e energjisë. Prodhimi i 97% të energjisë nga burimet hidrike, e bën Shqipërinë një vend shumë të varur nga rreshjet. Për këtë arsye, diversifikimi me burime të tjera si TEC-e me qymyr dhe naftë apo Central ere ka qenë objekt i shpeshtë diskutimesh dhe projektesh. Nuk mund të mohoet domosdoshmëria e kombinimit të burimeve për prodhimin e energjisë, por nuk duhet anashkaluar edhe fakti që prodhimi aktual realizohet duke shfrytëzuar vetëm 35% të burimeve hidrike të disponueshme.

Ndërtimi i TEC-ve do e bënte Shqipërinë të varur për lëndën e parë, pasi ajo nuk është e pasur as me naftë e as me qymyr. Por situata prezantohet ndryshe në fqinjin më të afërt, Kosovën. Ajo mbështetet kryesisht në prodhimin e energjisë me TEC-e dhe bashkëpunimi mes dy shteteve për shkëmbimin e energjisë do iu mundësonte palëve diversifikimin e dëshiruar dhe shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve natyrore.

Në shqyrtimin e prodhimit vendas, interesant është fakti që prej vitit 2008, në Bilancin e Energjisë të publikuar nga INSTAT, prodhimi nga Termocentralet është zero, ndërkohë që në qershor të 2009-s filloi punën investimi prej 100 milionë eurosh në TEC-in e Vlorës.

Arsyeja kryesore e ndërtimit të këtij TEC-i ishte diversifikimi i burimeve të brendshme, për të ulur varësinë nga importi. Por kostoja e lartë e prodhimit të energjisë nga TEC-i ka bërë që Shqipërisë gjithsesi t’i leverdisë më shumë importi. Në këto kushte, ky investim do të shërbente si një reflektim i mirë për planet e ardhshme të ndërtimit të TEC-ve.

Importi është burimi i dytë për sigurimin e energjisë. 2004-a dhe 2005-a kanë qenë vitet me sasinë më të vogël të importit, por edhe ndërprerjet e energjisë nuk kanë munguar. Në peridhën 2007-2009 importi ka qenë i lartë, pavarësisht që prodhimi vendas shfaqet me rritje të vazhdueshme.

Kjo ka ardhur si pasojë e vendimit të qeverisë për të siguruar energjinë me cdo kusht, pasi kostot nga mungesa e saj për ekonominë janë më të larta se sa vlera e paguar për importin e saj. Rritja e prodhimit në vitin 2010 në nivelin më të lartë ndonjëherë që prej vitit 1998, ka mundësuar edhe një ulje të ndjeshme të sasisë së importuar krahasuar me vitet e mëparshme. 

Kontribuoi: Blerta Zilja