Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi kredidhënien e bankave ndaj bizneseve në Shqipëri gjatë viteve të fundit, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë.
Lloji i kredisë sipas qëllimit është ndarë në kategoritë: pasuri të paluajtshme, blerje paisjesh, kapital qarkullues dhe overdraft.
• Pasuria e paluajtshme përfaqson kreditë për blerjen e banesave dhe tokave për ushtrimin e aktivitetit të biznesit.
• Blerjet e paisjeve përfaqsojnë blerjen e mallrave afatgjatë si psh: makineri, paisje prodhuese, etj.
• Kapitali qarkullues përfaqson mbulimin e aktiveve afatshkurtra përmes kredisë afatshkurtër.
• Overdrafti është një kredi afatshkurtër mbi llogarinë rrjedhëse të biznesit.
Nga të dhënat e vitit 2010 (deri në fund të muajit nëntor), rezulton se kredidhënia bankare sipas qëllimit paraqitet si më poshtë:

Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA
Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, pjesa më e madhe e kredisë ndaj bizneseve është dhënë në formë overdraft-i (105.1 miliardë lek), e ndjekur nga blerja e paisjeve (88.1 miliardë lek), kredia për pasuri të paluajtshme (76.7 miliardë lek), dhe kredia për kapitalin qarkullues (53.4 miliardë lek).
Konkretisht, e ndarë sipas peshave në totalin e huadhënies situata gjatë viteve paraqitet sipas grafikut:

Burimi: Banka e Shqipërisë
Analiza dhe Komentet: ODA
Gjatë viteve vihet re një rritje e theksuar e kredimarrjes absolute nga ana e biznesit, sidomos në formën e kredisë afatshkurtër.
Një tregues tepër i rëndësishëm për parashikimin e mbarëvajtjes së biznesit, dhe perspektivave të zhvillimit, eshte treguesi i kredisë për blerje paisjesh. Gjatë viteve të fundit, pesha e kredisë për blerje paisjesh dhe makinerishë prodhimi ka ardhur në zbritje, nga 32.5% në 2007, në 27.3% në 2010. Pra ulja e kredimarrjes për këtë kategori investimesh nga ana e biznesit, është një tregues i uljes edhe të optimizmit të biznesit për investime afatgjata, në kuadër të përmbushjes së kërkesës së klientëve. Nga ana tjetër treguesi i kredisë për pasuri të paluajtshme ka ardhur në rritje (nga 20.6% në 2007, në 23.7% në 2010) gjë që tregon investime më të mëdha të biznesit në ndërtesa dhe zyra, me qëllim zgjerimin e aktivitetit ose shtimin e filialeve.
Në total mund të thuhet se kredia për investime afatgjata, ka ardhur në zbritje, nga 53.15% në 2007, në 51% në 2010, ndërkohë që kredia afatshkurtër ka ardhur në rritje, nga 46.8% në 2007, në 49% në 2010.
Komente dhe Analiza: Open Data AlbaniaKontribuoi: R.E
