Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) është një ndër institucionet më të rëndësishme të sistemit shëndetësor në vend. Ai u krijua në vitin 1995, pas vendimit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar një sistem financimi të shëndetësisë të mbështetur në kontribute dhe me një pagues të vetëm. Fillimisht, ISKSH-ja ofronte shërbimin e rimbursimit të një numri barnash, por ndërkohë ishte projektuar me idenë që hap pas hapi të ofronte gjithmonë e më shumë shërbime. Domosdoshmëria e ndërmarrjes së reformave në shërbimin shëndetësor ka qëndruar pezull si hije për qeveritë shqiptare dhe për gati 10 vjet shumë pak nisma konkrete u ndërmorën.

 

Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Bazuar në Statutin e saj, ISKSH, siguron burime financimi nga: kontributet e të siguruarve, Buxheti i Shtetit, donacionet dhe të ardhurat e tjera. Duke qenë se të ardhurat nga kontributet e detyrueshme dhe vullnetare janë shumë të ulta për përballimin e funksioneve që kryen ISKSH, ai financohet nga Buxhetit i Shtetit për plotësimin e këtij boshllëku.

Edhe pse deri në vitin 2005 rritja e kontributeve ka qenë në norma relativisht të mira, mesatarisht 15%, viti 2007 shënoi një përmirësim të dukshëm në rritjen e të ardhurave të ISKSH-së, rreth 24% krahasuar me vitin 2006. Ritmet rritëse vijuan edhe në vitet e tjera.  Në 2010-n, të ardhurat nga sigurimet shëndetësore ishin 4 herë më të larta se sa në vitin 2000 dhe 2 herë më të larta se sa në vitin 2005. Në përmirësimin e treguesve, faktorët kryesorë që ndikuan ishin ulja e informalitetit (puna në të zezë) dhe rritja e pagave. Megjithatë, pavarësisht shifrave në rritje, të ardhurat nga kontributet janë ende shumë të ulta për të mundësuar një vetfinancim të funskioneve të ISKSH-së. Problemi kryesor është cilësuar në mënyrë të vazhdueshme norma e ulët e kontributit të sigurimeve shëndetësore. Duke qenë se ky është një vendim politik, pak gjasa ka që të vendoset për një ndryshim të saj për shkak të ndikimit të publik.

Momenti i dytë lidhet me pagimin e sigurimeve shoqërore. Norma e kontributit të sigurimeve shoqërore është disa herë më e lartë se ajo e sigurime shëndetësore dhe ndërkohë, një individ nuk mund të zgjedhi të paguajë njërën dhe jo tjetrën. Në këto kushte, duke u munduar të shmang pagesën e sigurimit shoqëror, ai shmang edhe pagesën e sigurimit shëndetësor, që është disa herë më e ulët se sa ajo e sigurimit shoqëror (Reynolds 2003).

Elementi i tretë dhe jo pak i rëndësishëm që ndikonë në të ardhurat e ISKSH-së lidhet me pagesat nën dorë dhe besimin e njerëzve kundrejt sistemit shëndetësor. Nëse shpenzimet shëndetësore janë të ngjashme për personat e siguruar dhe jo të siguruar për shkak të pagesave nën dorë, kjo do të thotë se skema e sigurimeve nuk i mbron pjesmarrësit në skemë nga jo pjesmarrësit (Roshi, Toci, Qirjako, 2009). Nëqoftë se këto pagesa do të mblidheshin në mënyrë institucionale dhe do të përdoreshin me efektivitet, do të ndihej menjëherë përmirësimi i cilësisë së shërbimit. Varfëria, mungesa e informacionit, informaliteti i ekonomisë, etj janë disa faktorë të tjerë që japin ndikimin e tyre në mbledhjen e ulët të kontributeve.

Të dhënat për vitet 2000-2010 i përkasin Treguesve Fiskal të Buxhetit të Shtetit Faktik
Të dhënat për vitin 2011 i përkasin Treguesve Fiskal Të Buxhetit të Shtetit 2011