Shpenzimet totale për shëndetësinë llogariten si shuma e shpenzimeve publike dhe private të bëra për shëndetësinë. Ato mbulojnë shërbimet shëndetësore (parandaluese dhe kuruese), aktivitetet e planifikimit familjar, ndihmat emergjente për shëndetin, etj. Të dy sektorët kanë një peshë jo të vogël ndaj totalit të shpenzimeve për shëndetësinë, edhe pse me sistemin e financimit të shëndetësisë që ka zgjedhur Shqipëria, duhet të kishte një prevalencë të shpenzimeve publike.
Burimi: Organizata Botërore e Shëndetësisë
Komentet dhe përpunimi: ODA
Sektori privat përfshin pagesat direkte “out-of-pocket” të kryera nga individët, sigurimet private, dhuratat e bamirësisë dhe pagesat direkte të shërbimeve të organizatave private që iu shërbejnë individëve (psh OJF-të). Ndërsa shpenzimet e sektorit publik janë shpenzimet korrente dhe kapitale, të financuara nga buxhetet e qeverisë qëndrore apo lokale, huatë e marra jashtë vendit apo grantet (duke përfshirë donacionet nga agjensitë ndërkombëtare dhe organizatat jo qeveritare) si dhe nga kontributet e sigurimit shëndetësor.
Nga grafiku mund të vërehet se Shqipëria shpenzon gjithmonë e më shumë për shëndetësinë. Ritmi i rritjes së shpenzimeve totale të shëndetësisë (SHTSH) ka qenë shumë i lartë deri në vitin 2000, mesatarisht 34%. Edhe përqindja ndaj PBB-së në periudhën 1995-2000 ka pasur ritëm rritjeje më të lartë, duke u 2-fishuar nga 3.21% në 1995-n, në 6.35% në 2000-n.
Viti 2004 ka shënuar sërisht një shkëputje të ecurisë, duke shënuar rritje 20% të SHTSH krahasuar me vitin 2003 dhe pesha ndaj PBB-së shkoi në 6.88%, nivel i cili mesatarisht është ruajtuar edhe për vitet në vijim. Ky nivel është i krahasueshëm me Vendet me të Ardhura të Ulta dhe të Mesme.
Në raportin midis financimit privat dhe atij publik, duket se sektori privat zë peshën më të madhe. Pra, shqiptarët paguajnë më shumë vetë nga xhepi i tyre për shëndetin se sa shërbimet që financon shteti. Sektori publik mbulon vetëm 40% të shpenzimeve totale, gjë që shpie në pabarazi të përfitimit të kujdesit shëndetësor. Kjo godet akoma më tej grupet me nivel të ulët të ardhurash pasi ato kanë me pak mundësi për të përballuar vetë shpenzimet shëndetësore. Nëse këtu do të përfshiheshin edhe pagesat informale të kryera nga individët, shifrat do të përkeqësoheshin akoma më shumë. Në fakt, sondazhet nëpër familje tregojnë se vetëm 40-45% e popullsisë mbulohet efektivisht nga ISKSH (LSMS 2005), që do të thotë se pjesa tjetër paguan drejpërsëdrejti për shërbimet e përfituara.
