Stoku i borxhit të një vendi është totali i borxhit publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit dhe që ende nuk është shlyer. Borxhi publik mund të shlyhet brenda 1 viti (borxh afatshkurtër), ose pas më shumë se 1 viti (borxh afatgjatë).

Open Data Albania, ka kryer një hulumtim, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe FMN, lidhur me strukturën e stokut të borxhit të shtetit shqiptar sipas maturimit  gjatë viteve. Të dhënat janë kumulative, pra stoku i borxhit të një viti përfshin totalin e borxhit të emetuar deri në atë vit.

Stoku i borxhit publik për 2010 (në fund të tremujorit të tretë) ishte rreth 715.5 miliardë lekë ose 58.5% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Nga ky total, 250.1 miliardë janë borxh afatshkurtër (35%), dhe 465.4 miliardë janë borxh afatgjatë (65%).

Gjatë viteve pesha e borxhit total afatshkurtër dhe afatgjatë (sipas maturimeve origjinale) ka rezultuar sipas grafikut:


*Për 2010, të dhënat e borxhit janë deri në tremujorin e tretë të 2010
Burimi: Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave
Komentet dhe Analiza: ODA

Sikurse mund të shihet nga grafiku, gjatë viteve të fundit vihet re një rritje e qartë e peshës së borxhit afatgjatë, kundrejt borxhit afatshkurtër. Kjo reflekton strategjinë Ministrisë së Financave për emetimin e instrumenteve afatgjatë të borxhit.

Borxhi afatshkurtër përbëhet nga bonot e thesarit, ndërsa borxhi afatgjatë konsiston në pjesën më të madhe nga obligacione 2 dhe 5-vjeçare. Në 2007 u emetuan për herë të parë edhe obligacionet 7-vjeçare. Borxhi i brendshëm është i thuajse i gjithi afatshkurtër dhe maturimi mesatar është rreth 0.8 vjet, që do të thotë se ai duhet të rifinancohet brenda një viti.

Ndërkohë borxhi i jashtëm është shumë më afatgjatë, pasi në të përfshihen kredi të buta të marra deri në vitin 2005 (edhe pse pesha e këtyre kredive në totalin e borxhit të jashtëm ka ardhur në ulje), me një maturim mesatar prej 11 vjetësh. Eurobond-i i emetuar gjatë 2010, ka një maturim prej 5 vjetësh.

Mund të thuhet se nga njëra anë, rritja e borxhit afatgjatë ul nevojën e rifinancimit, por nga ana tjetër rrit kostot, pasi borxhi afatgjatë nënkupton pagesën e interesave më të larta se borxhi afatshkurtër për shkak të likuiditetit më të ulët.

Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: R.E