Sipas një raporti të publikuar të mërkurën nga ‘Open Data Albania’, në Shqipëri dënohen mesatarisht 11 shtetas çdo vit me burgim të përjetshëm. Referuar raportit, Gjykatat në Shqipëri, në harkun kohor 2004-2009, kanë dhënë 69 vendime penale të formës së prerë me burgim të përjetshëm. Viti më me shumë të dënuar me burgim të përjetshëm është viti 2006, me 17 të dënuar ndërsa viti me më pak të dënuar me burgim të përjetshëm është viti 2007, me 5 të dënuar. Mesatarja vjetore është 11 të dënuar me burgim të përjetshëm çdo vit.

Vëllimin më të madh të krimeve të dënuara me burgim të përjetshëm e kanë veprat penale të vrasjes, pasuar nga vjedhje me pasojë vdekjen. Dënimi me burgim të përjetshëm është dënimi maksimal për ligjin penal në Republikën e Shqipërisë dhe të dënuarit me burgim të përjetshëm nuk mund të përfitojnë nga faljet, amnistitë dhe kërkesat për ulje dënimi pa kaluar 25 vite vuajtje dënimi.