Kushtetuesja rikthen për gjykim masakrën e Kozares, Luan Mara i shpëton burgut përjetë

Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues ditën e djeshme, vendimet e tre gjykatave për dënimin e Luan Marës me burgim të përjetshëm. Çështja Luan Marra njihet për opinionin publik dhe si Masakra e Kozarës. Pesë vite pas arrestimit dhe dënimit si autor i vrasjes se katërfishte të vëllait dhe familjes se tij Gjykata Kushtetuese rikthen Luan Marën në gjendjen e prezumimit të pafajësisë dhe vendimet e tre niveleve të gjyqësorit i shpall antikushtetues. Rasti shënon një precedent unik të një individi të dënuar me burgim të përjetshëm në kushte të një procesi të parregullt ligjor.

Procesi dhe vendimi i Gjykatës Kushtetues që bënë të pavlefshëm dënimin me burgim të përjetshëm për Luan Marën u finalizua pas një mbrojtjeje katërvjeçare nga dy avokatët Dilaver e Alban Bengasi. Më 9 shkurt 2006 në fshatin Kozarë në afërsi të Kuçovës janë vrarë në shtëpinë e tyre tre pjesëtarët e një familjeje të re, ndërsa vrasja është konsideruar e katërfishtë pasi njëra nga viktimat ishte një grua shtatzënë. Të vrarë nga të shtënat e një arme zjarri mbetën Shpëtim Mara 35 vjeç, bashkëshortja e tij Florie Marra shtatzënë dhe fëmija dyvjeçar Artiol Marra.

 Policia asokohe ngriti dy pista hetimi: Pista e parë përkonte me akuzat ndaj Luan Marës, vëllai i viktimës. Sipas policisë, motiv për krimin përbënte një marrëdhënie shtatzënie dhe intime e supozuar mes të dyshuarit dhe kunatës së tij, viktimë e ngjarjes. Prova e ADN-së së fëmijës që pritej të lindte nuk verifikoi atësinë e të dyshuarit si motiv për grindje dhe vrasje mes vëllezërve Mara. Pista tjetër implikonte një individ të ri në moshë, i cili ishte në konflikt me familjen Marra për shkak të një fejese të dështuar me ndërhyrjen e babait të viktimës.

Hetimi

Kjo pistë dhe vendndodhja e personit të dyshuar nuk u verifikuan në asnjë moment të hetimit ndonëse në vendin e ngjarjes u zbuluan dhe fiksuan dy gëzhoja arme zjarri të cilat i korrespondonin automatikut të sekuestruar në banesën e personit të dyshuar me iniciale A. M. Personi i dyshuar nuk u ndalua asnjëherë nga policia edhe për shkak të largimit të tij nga banesa natën e krimit. Polica e Beratit dhe prokuroria e këtij rrethi gjyqësor insistuan në fajësinë e vëllait të viktimës duke marrë dëshmi vetëfajësimi në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe në kushte të denigrimit dhe trajtimit çnjerëzor të personit nën hetim dhe familjes së tij.

 Për deklarimin e fajësisë e tërë familja, babai i viktimës Shefqet Mara dhe dy djemtë Iliri dhe Luani i janë nënshtruar dhunës fizike dhe torturave në ambientet e komisariatit të Beratit. Organi i Akuzës pas këtij Vendimi të Gjykatës Kushtetuese duhet të riçelë hetimin duke konsideruar edhe pista të tjera mbi vrasjen për të shmangur fajësimin e një individi në kushte pafajësie dhe lirinë e padrejtë të vrasësit të katërfishtë. Gjykata Kushtetuese si garant i të drejtën kushtetuese për proces të rregullt ligjor, ka konstatuar se procesi gjyqësor për hetimin e masakrës së Kozarës është kryer nëpërmjet ushtrimit të torturës dhe shkeljes së të drejtës së individit për tu mbrojtur dhe dëgjuar në prani të një avokati.

Po sipas Gjykatës Kushtetuese gjatë hetimit në organin e akuzës dhe gjatë procedimit në tre nivelet e gjyqësorit, janë shkelur një seri parimesh të doktrinës penale. Me këtë vendim të dhënë Gjykata Kushtetuese ka kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat. Provat të cilat çuan në dënimin e shtetasit Luan Mara janë një procesverbal i marrjes në pyetje me përmbajtje vetëpërgjegjësie i datës 30 tetor 2006 dhe një eksperiment hetimor i po kësaj date. Në vendim citohet se është e papranueshme që në një shtet të së drejtës gjithë akuza të mbështetet kryesisht në deklarime që janë bërë për shkak të dhunës së ushtruar ndërkohë që Shqipëria ka ratifikuar që prej 1994-ës Konventën kundër Torturës dhe Akteve Çnjerëzore e Denigruese.

Pretendimet për torturë verifikohen edhe nga një akt ekspertimi mjeko ligjor i Luan Marës menjëherë pas ndalimit në polici. I rikthyer në statusin e shtetasit që prezumohet i pafajshëm pesë vite pas arrestimit dhe dënimit me burgim të përjetshëm, Luan Mara përveç torturës, burgimit të padrejtë dhe pesë viteve heqje lirie është dëmtuar edhe në të drejtën e individit për të krijuar familje. Burgimi i përjetshëm u kthye në shkak për divorc, presionet psikologjike tË policisë gjatë marrjes në pyetje provokuan tek ish bashkëshortja e Luan Marës një abort të pavullnetshëm të konfirmuar me raport mjekësor.

Avokat Bengasi: Rasti, unik në llojin e tij

Avokati Alban Bengasi konsideron rastin si një çështje unike në llojin e saj. Po sipas Bengasit ky është një rast ku dëshmohen vështirësitë për implementimin e sistemit akuzues në prezumim të pafajësisë, kundrejt sistemit inkuizitor të gjyqësorit shqiptarë të dekadave të mëparshme. Sistem ku prokurori dhe prova e servirur prej tij vlente mbi gjykatën e ku të pandehurit ndëshkoheshin pa të drejtën e mbrojtjes me avokat. Organi i akuzës pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese duhet të riçelë hetimin duke konsideruar edhe versione të tjera mbi çështjen për të shmangur fajësimin e një individi në kushte pafajësie dhe lirinë e padrejtë të vrasësit të katërfishtë.

2004 – 2009, gjykatat 69 vendime me burg përjetë

Gjykatat në Republikën e Shqipërisë në harkun kohor 2004 – 2009 kanë dhënë 69 vendime penale të formës së prerë me burgim të përjetshëm. Sipas “Open Data Albania” në vend dënohen çdo vit mesatarisht 11 persona me dënimin maksimal “burgim i përjetshëm”. Vëllimin më të madh të krimeve të dënuara me burgim të përjetshëm e kanë autorët e dënuar për veprat penale të vrasjes pasuar nga vjedhja me pasojë vdekjen. Sipas ODA në vitin 2008 në burgjet shqiptare vuanin dënim me burgim të përjetshëm 116 të dënuar. Dënimi me burgim të përjetshëm është dënim maksimal për ligjin penal në RSH. Të dënuarit me burgim të përjetshëm nuk mund të përfitojnë nga faljet, amnistitë dhe kërkesat për ulje dënimi pa kaluar 25 vite të vuajtjes së dënimit. Rasti i dënimit maksimal për një individ të pafajshëm përbën shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe shënon një precedent të rrezikshëm ku drejtësia dënon të pafajshëm duke lënë një vrasës të lirë. Rasti Marra është rasti i parë ku një i dënuar me burgim të përjetshëm fiton një proces kundrejt sistemit gjyqësorë në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese njëzëri, me unanimitetin e te nëntë anëtarëve të saj ka vendosur të shpallë të pavlefshëm vendimet e dhëna nga të tre nivelet e Gjyqësorit duke shënuar rastin më unik të praktikës së kësaj Gjykate në Shqipëri.

Shkodër, rrahu gjyqtarin në zyrë, arrestohet 28 vjeçari

Zyra e një gjyqtari është shndërruar në arenë boksi në qytetin verior të Shkodrës. Ka mjaftuar një moment nxehje dhe një 28-vjeçar nga Shkodra duke mos qenë dakord me masën e dhënë ndaj tij ka shpërthye në zyrën e gjyqtarit. Policia tha se i riu është arrestuar nga policia e qytetit të Shkodrës, pasi akuzohet për goditjen e gjyqtarit i cili po gjykonte procesin. Policia tha se është arrestuar në kushtet e flagrancës 28-vjeçari Eder Plisi, banues në lagjen “10 korriku” të qytetit të Shkodrës. Sipas të dhënave paraprake rezulton se, 28- vjeçari Plisi ka goditur gjyqtarin, pasi nuk binte dakord me vendimin që ky gjyqtar kishte dhënë në sallën e gjyqit. Plisi ka hyrë në zyrën e gjyqtarit dhe ka filluar të ushtrojë dhunë ndaj tij duke e goditur me mjete të forta dhe për pasojë gjyqtari ka marrë plagë të shumta. Ka qenë pikërisht gjyqtari, i cili ka bërë denoncim në rajonin e policisë së Shkodrës, nga ku morr masa e arrestit në flagrancë për Eder Plisin, i cili akuzohet për veprën penale “Kundërshtim dhe goditje e gjyqtarit”. Ky nuk është rasti i vetën rasti i vetëm që ngrihet dorë mbi togat e zeza në sallën e gjyqit. Në mjaft raste konflikti “ligjor” është shndërruar në konflikt fizik duke bërë që njerëzit e ligjit të goditen e madje të kërcënohen me jetë, vetëm e vetëm se kanë marrë një çështje të “nxehtë” në duar.

Zjarr në magazinë, shkëndija shkrumbon godinën

Një zjarr i rëndë në magazinën e një 51 vjeçari nga Korça ka shkrumbuar plotësisht godinën duke bërë shumë dëme materiale. Sipas policisë mësohet se dy ditë më parë ka nisur procedimi penal, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr” parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal. Kjo pasi në fshatin Vashtmi të rrethit Korçë, në magazinën e Dh. Topalli 51 vjeç, ka rënë zjarr, e për pasojë është djegur çatia e magazinës si dhe shumë materiale të tjera që ndodheshin në magazinë, midis të cilave dhe një kamionçine furgon me targë KO 0121 B, e cila është djegur plotësisht. Policia tha se nga veprimet e kryera rezultoi se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike ndodhur në brendësi të mjetit, ndërmjet fijes së baterisë dhe trupit të mjetit. Materialet i kaluan Prokurorisë Korçe për veprime të mëtejshme.

Përplasen dy veturat, në spital çifti

Një aksident automobilistik aksin rrugor Korçë-Voskopojë ka përfunduar me dy të plagosur në spitalin e Korçës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur kur dy automjete janë përplasur në aksin rrugor Korçë-Voskopojë, tek Ura e fshatit Turhan. Policia tha se për këtë ngjarje, dy ditë më parë filloi procedimi penal në gjendje të lirë, në ngarkim të Renato Vllazeriut 30 vjeç, banues në fshatin Porodine të rrethit Korçë. Kjo pasi ai, në orët e darkës, duke drejtuar mjetin e tij autoveturë me targë NEX 9292, është përplasur me mjetin autoveturë me targa KO 7627 B, me drejtues R. Qesaraka 35 vjeç, banues në Korçë, e si pasojë ka marrë plagë të lehta trupore M. Ll 34 vjeçe, banuese në fshatin Mborje të rrethit Korçë, e cila udhëtonte si pasagjere në mjetin me drejtues R. Qesaraka. Policia tha se vepra penale e konsumuar është ajo e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë Korçë për veprime të mëtejshme.