Shqipëria duhet të plotësojë normën e 30 të diplomuarve ndër 100 qytetarë, për të arritur kësisoj standarde dhe cilësi në arsimin e lartë. Sipas një studimi të ODA-as ky është një kusht i vendosur nga Këshilli i Evropës, dhe 10 vitet e fundit arsimi i lartë duket se e ka ndryshuar krejt fizionominë.
Zanafilla
Arsimi i lartë në Shqipëri e ka zanafillën vonë krahasuar me vendet e tjera, kjo ka bërë që përqindja e numrit të qytetarëve me arsim të lartë në vitet 90 deri në 2000 të ishte ndër më të ulëtat në Evropë, 9 vetë për 100 qytetarë. Arsimi i lartë në Shqipëri e ka zanafillën në vitin 1946, me Institutin 2-vjeçar Pedagogjik të Tiranës, krahas së cilit u hapën dhe shumë institute të tjera. Universiteti i parë në vend është ai i Tiranës, i cili u hap në vitin 1957. Sipas Open Data Albania nisur nga karakteristikat që pati Arsimi i Lartë pas vitit 1991, mund të identifikohen dy periudha kohore: 1992-2003 dhe 2003-2011.
Universitetet në rrethe
Në Periudhën e parë: 1992-2003 filluan shkëmbimet e para të eksperiencave të pedagogëve me vendet perëndimore dhe u krijua një ide më e qartë e stadit ku ndodhej arsimi i lartë dhe se ku ai duhej të shkonte. Në këtë periudhë, filloi të forcohej gjithmonë e më shumë prirja e vjetër për të ndjekur shkollën e lartë, duke rritur presionin për masivizimin e universiteteve. Si pasojë, u hapën disa Institucione të Arsimit të Lartë (IAL) edhe në rrethe të tjera të vendit. Numri i studentëve filloi të rritej vit pas viti, por masivizimi nuk ishte kthyer ende në fenomen dhe cilësia nuk ishte vendosur ende në pikëpyetje. Edukimi vazhdonte t’i përkiste “elitës”.
Masivizimi
Periudha e dytë: 2003-2011 karakterizohet kryesisht nga masivizimi. Nëse do të krahasohej me periudhën e mëparshme, mund të vërehet fare lehtë hovi që mori numri i të regjistruarve nëpër universitete. Që në vitin shkollor 2003-2004 bie në sy ritmi rritës më i lartë se në çdo periudhë më të hershme. Në këtë vit u regjistruan 22% më shumë studentë se një vit më parë. Edhe në vitet që pasuan, deri në 2007-n, ritmi ishte i lartë. Në vitet 2007-2008 dhe 2008-2009, rritja ra në nivelet 5% dhe 3%, ndërkohë që viti 2009-2010 shënoi bumin e studentëve që u ulën nëpër auditorë. 25% më shumë se sa një vit më parë dhe 3.1 herë më shumë se sa në vitin 1994-1995.
IAL private
Karakteristika e dytë e kësaj periudhe është lindja e universiteteve private. Kërkesës së lartë për edukim dhe pamundësisë së arsimit publik për ta kënaqur atë, fare natyrshëm nisi t’i përgjigjet sektori privat. Në vitin 2003-2004, u hap universiteti i parë privat në vend dhe që prej asaj kohe, numri tyre ka ardhur gjithmonë në rritje. Në vitin 2005 ne arritën në shifrën 17 banorë me arsim të lartë në 100 qytetarë, sot mendohet të jemi në shifrat 22 qytetarë me shkollë të lartë në 100 banorë. Duhet pasur parasysh që kjo përqindje është e ulët, pasi shumica e qytetarëve mbi moshën 50 vjeç janë pa arsim të lartë.
