Open Data: Bujqësia vuan nga fragmentarizimi i thellë i sipërfaqes së tokës së punueshme

Sektori i bujqësisë në Shqipëri është aktualisht pjesa më e pazhvilluar e ekonomisë shqiptare dhe vuan nga fragmentarizimi i thellë i sipërfaqes së tokës së punueshme. Vetëm në vitin 2010, qeveria vendosi subvencionimin e fermerëve të cilët mbjellin ullinj, agrume, drufrutorë dhe vreshta. Kjo masë është e domosdoshme, pasi vetëm në këtë mënyrë bujqësia shqiptare

mund të arrijë të konkurrojë me sektorin bujqësor të vendeve fqinjë. Rritja e prodhimit bujqësor, jo vetëm që zhvillon ekonominë dhe ul papunësinë, por mundëson uljen e çmimeve të produkteve kryesore jetike që konsumohen nga popullata, si dhe ul varësinë e vendit nga importet. Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi prodhimin bujqësor në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit, dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Bazuar në të dhënat e 2010, sektori i bujqësisë ka kontribuar me rreth 18% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke e bërë atë një sektor kyç në zhvillimin e ekonomisë. Gjatë viteve të fundit, prodhimi bujqësor i papërpunuar dhe agroindustrial ka ndryshuar.

Në vitin 2009, prodhimi total nga bujqësia dhe agroindustria vlerësohet në 212.708 milionë lekë, ku kontributi kryesor vjen nga sektori i bujqësisë së papërpunuar (74.8%) ndërkohë që agroindustria ka kontribuar vetëm me 25.2%. Gjatë vitit 2009, prodhimi total nga bujqësia u rrit me vetëm 1.8% krahasuar me vitin e mëparshëm, normë kjo më e ulët se mesatarja vjetore e viteve të fundit (3.3%). Niveli i ulët i rritjes së prodhimit bujqësor për 2009, mund të shpjegohet me përmbytjet e mëdha në veriun e vendit. Pjesa më e madhe e prodhimit bujqësor të papërpunuar vjen nga blegtoria (55%), ndërkohë që 30% vjen nga bimët e arave, dhe 15% nga pemëtaria. Gjatë viteve të fundit, vihet re një rritje e peshës së pemëtarisë dhe ulje e peshës së prodhimit blegtoral.

Agroindustria

Open Data Albania ka kryer një hulumtim edhe mbi sektorin e agroindustrisë gjatë viteve të fundit, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit, dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Agroindustria është industria që merret me prodhimin masiv të produkteve bujqësore. Gjatë viteve të fundit, numri i bizneseve në sektorin agroindustrial ka ndryshuar thuajse në disfavor të këtij sektori. Në vitin 2009, ekzistonin 2.081 biznese në agroindustri, ose 36 më pak krahasuar me vitin paraardhës. Ulja e numrit të bizneseve është shoqëruar edhe me uljen e numrit të të punësuarve me rreth 657 persona. Pjesa më e madhe e bizneseve në agroindustri është në formën e furrave të bukës (1.102 biznese), e ndjekur nga bizneset e prodhimit të qumështit (342), miellit (171), prodhimit të vajit (108), verës (86), mishit (65), etj. Ajo që vihet re është mungesa e bizneseve të prodhimit të duhanit, duke filluar nga viti 2007. Pjesa më e madhe e investimeve në agrobiznes është kryer nga vetë bizneset, ndërkohë që subvencioni nga buxheti i shtetit ka qenë thuajse zero.

Sektori agroindustrisë në Shqipëri ka potenciale të mëdha zhvillimi. Vetëm në vitin 2010, qeveria vendosi subvencionimin e prodhimit në shkallë të gjerë të qumështit, si dhe prodhimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër. Kjo masë është e domosdoshme, pasi në këtë mënyrë agroindustria shqiptare mund të arrijë të konkurrojë në treg dhe madje të eksportojë produktet e veta.

Të ardhurat nga bujqësia sipas qarqeve

Open Data Albania ka kryer gjithashtu një hulumtim mbi strukturën e tokës dhe të ardhurat nga bujqësia dhe blegtoria në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit, dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas ODA, bazuar në të dhënat e 2010, sektori i bujqësisë ka kontribuar me rreth 18% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke e bërë atë një sektor kyç në zhvillimin e ekonomisë. Në Shqipëri, tokat bujqësore zënë rreth 24.2% të tokës ndërsa fondi pyjor dhe kullotat zënë rreth 75.8% të totalit. Gjatë viteve ky raport ka qëndruar thuajse konstant.

Numri i fermave bujqësore në Shqipëri rezulton 353.485, ku qarku me numrin më të madh rezulton Fieri me rreth 54.903 ferma. Qarku me të ardhurat më të larta vjetore nga prodhimi bujqësor rezulton sërish Fieri, i cili siguron rreth 14.9 miliardë lekë nga fermat, ku 43% e të ardhurave vjen nga prodhimi bujqësor dhe 57% nga prodhimi blegtoral. Ndërkohë qarku me të ardhurat më të ulta nga bujqësia është Kukësi, i cili siguron rreth 2 miliardë lekë në vit. Në rang vendi, rreth 62% e të ardhurave sigurohen nga blegtoria dhe 38% nga bujqësia.