Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi tregun e sigurimeve sipas
kategorisë së sigurimit në Shqipëri. Raporti bazohet në të dhënat e AMF
(Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare).

Tregu i sigurimeve është një pjesë tepër e rëndësishme e sistemit
financiar. Në të përfshihen shoqëritë private dhe shtetërore të cilat
realizojnë procesin e sigurimit të individëve apo bizneseve. Për të
përfituar nga ky shërbim individët dhe bizneset paguajnë prime sigurimi
për t’u mbrojtur nga një ngjarje specifike, dhe në rast të ndodhjes së
ngjarjes, përfitojnë një shumë të caktuar që në fillim nga kontrata me
shoqërinë e sigurimit.
Sigurimi i jetës, i ofrohet individëve dhe në rast të vdekjes së tyre
një individ tjetër i përcaktuar nga i siguruari përfiton një shumë sipas
kontratës.
Sigurimi i jo-jetës përfshin gjithë shërbimet e sigurimit të cilat nuk
përfshihen në sigurimin e jetës (si sigurimi i pasurive të paluajtshme,
sigurimi i shëndetit, i automjeteve etj).

Gjatë 2010 tregu i sigurimeve sipas kategorisë së sigurimit ndahet sipas grafikut të mëposhtëm:

Burimi: AMF
Komentet dhe Analiza: ODA

Në 2010, në tregun e sigurimit të jo-jetës, peshën më të madhe e zë
sigurimi i mjeteve motorrike ndaj palëve të treta (sigurimi i
detyrueshëm), me një shumë primi të paguar prej 4.26 miliardë lek. Zëri i
dytë më i rëndësishëm është sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës
(me një shumë primi 927 milionë lek).

Burimi: AMF
Komentet dhe Analiza: ODA

Ndërkohë në tregun e sigurimit të jetës, zëri kryesor lidhet me
sigurimin e jetës së debitorëve1 (me një shumë primi prej 554 milionë
lek). Gjithashtu vihet re një rritje e vazhdueshme e sigurimit të jetës
në udhëtim, me një shumë prej 28.5 milionë lek në 2010, dhe 13.9 milionë
lek vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2011. Rritja e kësaj kategorie
pritet të vazhdojë për shkak të liberalizimit të vizave, që ka shtuar
kërkesën për udhëtime në Evropë.

Në raportin total, sigurimi i detyrueshëm zë një peshë më të madhe të
sigurimeve në Shqipëri (58% në 2010), kundrejt sigurimit vullnetar
(42%).

Tregu i sigurimeve është shumë i rëndësishëm sepse lejon kalimin e
rreziqeve nga një palë tek një tjetër. Pra individët dhe bizneset që nuk
duan të mbajnë rrezik, mund t’ja kalojnë atë një shoqërie sigurimi. Ky
është një funksion thelbësor për funksionimin e mirë të një tregu
ekonomik dhe financiar në një vend.

Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: R.E