Shqiptarët paguajnë më shumë për borxhin e vendit se sa për sektorë bazë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja, mjedisi etj. Portali Open Data Albania ka kryer hulumtimin me temë “Ku shkojnë paratë e shqiptarëve” dhe ka konstatuar se 83,3 lekë nga të ardhurat ditore të secilit prej nesh shkojnë për mbulimin e kostove të borxhit, apo ndryshe, për pagimin e interesave të kredive që iu janë marrë vendeve të tjera apo institucioneve financiare ndërkombëtare.

“Ne kemi marrë një rast ilustrativ, kemi marrë pagën e një specialisti të lartë në një institucion buxhetor, 64 mijë lekë. Ideja është që në jetën e përditshme secili nga ne sikurse pi kafe, paguan në mënyrë krejt të pavetëdijshme 195 lekë për mbrojtje sociale, 67.1 lekë për shëndetësi, pastaj paguan për mbrojtje, polici e kështu me radhë. Interesante për mua ishte edhe kostoja e borxhit, që ky person paguan 88.3 lekë në ditë dhe I bie që paguan më shumë se sa për arsim e shëndetësi.”, u shpreh Analistja e Open Data Albania Blerta Zilja.

Ekspertët e portalit Opean Data Albania kanë prezantuar edhe hulumtime të tjera në sektorë të ndryshëm. Ata kanë vlerësuar se transparenca dhe përpunimi i teknologjive të reja në përpunimin e të dhënave ofrojnë avantazhin e shpejtësisë.

“Së fundmi është bërë edhe një studim shumë interesant që merret me organizatat që kanë punuar me këtë fushë, në fushën e të dhënave të hapura në të gjithë rajonin. Ajo që pa është se një nga elementet kryesore të kodit të përdorimit të teknologjisë dhe transparencës është padyshim shpejtësia”, deklaron Drejtori i OSFA Andi Dobrushi.