Gjatë vitit 2010, numri I vizitorëve të huaj në Shqipëri ishte 2.3 milion, krahasuar me 1.8 milionë që ishte një vit më parë. Kjo tregon një rritje me 29% krahasuar me vitin 2009, thuhet në hulumtimin mbi zhvillimin e turizmit në Shqipëri gjatë viteve të fundit, realizuar nga portali “Open Data Albania”.

Raporti bazohet në të dhënat e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) dhe të INSTAT-it. Treguesit më të rëndësishëm të turizmit janë numri i turistëve të huaj dhe të ardhurat e siguruara nga turizmi. Gjithashtu për të krahasuar zhvillimin e turizmit në një vend është bërë llogaritja e kapaciteteve turistike të një vendi.

“Gjatë viteve, me përjashtim të vitit 2009, muaji që ka fluksin më të madh të vizitorëve të huaj ka qenë muaji gusht, i cili përputhet edhe me periudhën e turizmit pranë plazheve të Shqipërisë. Ndërkohë në muajt e tjerë vihet re një numër shumë më i kufizuar vizitorësh.

Kjo tregon që llojet e tjera të turizmit, përveç turizmit bregdetar janë tepër të pazhvilluara”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, nga viti 2008, në vitin 2009, të ardhurat nga vizitorët janë rritur me 11%, ndërkohë që numri i vizitorëve të huaj është rritur me 34%. I njëjti trend vihet re edhe për periudhën 2007-2008. Të ardhurat janë rritur me 17%, ndërsa numri i vizitorëve është rritur me 21%. Pra, edhe pse numri i vizitorëve të huaj është një tregues i rëndësishëm i zhvillimit të turizmit në një vend, është e domosdoshme që të analizohet edhe rritja e të ardhurave nga ky aktivitet.

Gjatë vitit 2010, numri i hoteleve në Shqipëri ishte 290, ose 19% më shumë se në vitin 2009. Numri i shtretërve në 2010 ishte 11.793, ose 8% më shumë se në vitin 2009. Bazuar në këto të dhëna, kapacitetet e hoteleve në Shqipëri nuk janë adaptuar ndaj rritjes së fluksit të vizitorëve të huaj. Për këtë arsye mund të deduktohet se akomodimi i një pjese të vizitorëve është bërë pranë shtëpive private të individëve, në mënyrë të paregjistruar.

“Është e domosdoshme që Shqipëria të zhvillojë të gjitha llojet e turizmit, dhe jo vetëm atë bregdetar për të maksimizuar të ardhurat. Gjithashtu duhet përmirësuar cilësia e shërbimit, pastërtia, rendi dhe gjithë faktorët e tjerë të cilët jo vetëm të rrisin numrin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga kurioziteti, por edhe numrin e turistëve që e rivizitojnë atë pasi kanë kaluar eksperienca të këndshme”, thuhet në rekomandimet e hulumtimit.