Shqiptarët këtë vit kanë paguar rreth 12.5% më shtrenjtë faturat e ujit të pijshëm. Çmimi mesatar për familjet është rritur në vitin 2010 me 2.9 lekë/m3, ose 9.7% krahasuar me vitin 2009. Edhe në 2011-n, tarifat mesatare kanë ardhur në rritje, me rreth 3%. 
Aktualisht, njësitë vendore në të cilat uji i pijshëm paguhet më lirë janë: Bulqiza Orikumi, Vau Dejës, Pukë Fshat dhe Fushë Arrëz. Ndërkohë që banorët që paguajnë faturat më të shtrenjta janë banorët e qyteteve: Lushnje, Pogradec, Korçë, Shkodër, Divjakë dhe Mallakastër. Nga çmimi minimum në atë maksimum vihet re një luhatje rreth 4.8 herë, e cila përcaktohet kryesisht nga ndryshimi i kostove për sigurimin e ujit dhe ofrimin e shërbimit. 
Të gjitha bizneset në vendin tonë paguajnë tarifa pothuajse 3 herë më të larta se sa për konsumatorët familjar duke u bërë kështu kategoria që paguan më shtrenjtë nga të gjithë ujin e pijshëm. Kjo është edhe kategoria që ka përjetuar edhe rritjet absolute më të mëdha, 8 lekë/m3 në vitin 2010. 
Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e çmimit ka qenë konsumi i lartë i energjisë elektrike, kosto kjo që përbën rreth 30% të kostos totale të shërbimit me ujë. Ndërkohë që arsyeja tjetër ka të bëjë me humbjet për shkak të vjedhjeve apo amortizimit të rrjetit të ujësjellësit.