Rreth 40% e stafit pedagogjik të fakulteteve Ekonomi, Drejtësi dhe Infermieri në vendin tonë janë të pakualifikuar ndërkohë që 33.3% e tyre rezulton në nivel mesatar. Shifrat duken tronditëse po të marrim parasysh se pedagogët janë një nga treguesit kryesorë të cilësisë së një fakulteti. Vetëm 26.7% e stafit akademik në këto fakultete ka rezultuar me nivel të lartë. 
Sipas të dhënave rezulton se universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës apo “Aleksandër Moisiu” në Elbasan, në të gjitha degët ku ato kanë marrë pjesë në vlerësim, janë renditur në grupin e fundit. Nga ana tjetër, sqarohet se më mirë janë klasifikuar universitetet “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe “Eqrem Çabej”, Gjirokastër. Pra, Institucionet e arsimit të lartë pjesëmarrëse në renditje, në më të shumtën e rasteve nuk plotësojnë kriteret për staf pedagogjik të përgatitur ose të paktën në standard të pranueshëm”, – raporton Open Data Albania.
 
Treguesi i dytë që ka shumë rëndësi në përzgjedhjen midis këtyre institucioneve është treguesi i punësueshmërisë, pasi punëzënia është edhe një ndër arsyet kryesore të ndjekjes së arsimit të lartë. Duke shqyrtuar burimet e të dhënave për Sistemin e Renditjes, vihet re se pyetësori i studentëve ka qenë burimi i vetëm për të dhënat e këtij treguesi. Në asnjë rast nuk janë pyetur studentët e diplomuar më parë mbi perceptimin që kishin treguar për ta, koha brenda të cilës ata u punësuan dhe akoma më tej, perceptimi i punëdhënësit është lënë tërësisht jashtë shqyrtimi. 
Duke marrë parasysh këto të dhëna, duket i justifikuar fakti se përse studentët shqiptarë zgjedhin universitetet jashtë shtetit për studimet e tyre. Ajo që mund të thuhet në fund të procesit të renditjes është që pavarësisht kritikave për metodologjinë e përdorur, lidhur me mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin e tyre, IAL-të të cilat ishin pjesëmarrëse në proces duhet ta shfrytëzojnë këtë rast për të vendosur objektiva të qarta për përmirësimin e treguesve të tyre. Gjithashtu, Ministria e Arsimit duhet të rishqyrtojë me kujdes frytshmërinë e disa programeve të universiteteve publike nëpër rrethe.