Për të dytin vit rradhazi, qeveria do të shpenzojë një shifër të konsiderueshme nga buxheti i shtetit për të paguar interesin e borxhit të marrë, jashtë e brenda vendit. Buxheti i vitit 2012 flet për një shifër prej 49.6 miliardë lekësh, ose 460 milionë USD, të destinuara për të paguar këto interesa, që përbën 12.5 për qind të të gjitha shpenzimeve buxhetore. Me fjalë të tjera, në çdo tetë lekë të shpenzuara nga buxheti, sivjet një lek do të shkojë për të paguar shërbimin e borxhit.

 Në një nga hulumtimet më të fundit të saj, Open Data Albania ve re se, në totalin e kostos vjetore të borxhit, në masën 49.6 miliardë lekë, 40 miliardë, ose 80.7 për qind e totalit, do të shkojnë për pagesat e interesit të borxhit të marrë brenda vendit, në formë bonosh të thesarit apo obligacionesh afatgjata. Ndërkohë, një shifër më e vogël, prej 9.6 miliardë lekësh, do të paguhet për kreditorët e huaj, për shërbimin e borxhit të jashtëm.

Çështja e borxhit të lartë mbetet kyç në bisedimet e Bankës Botërore me qeverinë shqiptare, që ajo të mund të marrë për tre vitet e ardhshme një kredi nga 100 deri në 200 milionë dollarë. Banka kërkon uljen e deficitit buxhetor në 2.5 për qind në raport me PBB-në dhe madje në 2 për qind më 2013 dhe 2014.