Deri në vitin 2010, në Tiranë numëroheshin 38 361 ndërmarrje. Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi shtrirjen e ndërmarrjeve ekonomike në qarqe. Qarku me më shumë ndërmarrje për vitin 2010 rezulton të jetë Tirana. 38 361 ndërmarrje në kryeqytet përbëjnë 38% të totalit prej 100 687 ndërmarrjesh në të gjithë territorin shqiptar. Qarqet pasuese për nga numri i ndërmarrjeve, sipas studimit, janë Durrësi me 12 233; Fieri me 9 329, dhe Vlora me 8 409 ndërmarrje.

Qarku me numrin më të vogël të ndërmarrjeve është Kukësi, me 915 ndërmarrje, të cilat përbëjnë 0.91% të totalit. Karakteristike për këtë qark është ritmi i ulët i futjes në treg të ndërmarrjeve të reja, duke u renditur i fundit nga të 13 qarqet, me një koeficient lindshmërie të ndërmarrjeve prej 12.1% për vitin 2009. Qarqe të tjera me aktivitet të ulët për nga numri i ndërmarrjeve janë Dibra, Lezha e Gjirokastra, të cilat në total nuk e kalojnë numrin e ndërmarrjeve që operojnë në qarkun e Tiranës.

Për vitin 2010, ndërmarrjet e sektorit të tregtisë zënë 44.4% te tregut të ndërmarrjeve, me 44 709 ndërmarrje nga totali prej 100 687. Tirana ka numrin më të madh të ndërmarrjeve në sektorin e tregtisë, me16 856 të tilla, që përbëjnë 37.7% të totalit të sektorit. Kukësi mbetet qarku me numrin më të vogël të ndërmarrjeve në sektorin e tregtisë, me 400 ndërmarrje të cilat zënë 0.89% të këtij sektori.