Bashkia e Tiranës ka qenë përfituesja kryesore e fondeve të shpërndara nga buxheti i shtetit, kryesisht nga viti 2007-2012. Nga një studim i kryer nga “Open Data Albania” mbi 10 bashkitë që kanë përfituar transfertën e pakushtëzuar më të lartë për periudhën 2004-2012, rezulton se bashkia e kryeqytetit ka përfituar më shumë fonde nga buxheti i shtetit ndër vite, të paktën 2-3 herë më shumë se sa bashkite e tjera të financuara nga qeveria. Nëse vërejmë me kujdes grafikun e paraqitur nga “open data” shihet qartë se deri në vitin 2006, në kohën kur qeveria kryesohej nga socialistët dhe bashkia e Tiranës nga Edi Rama, financimi ka qenë rreth 358 milionë lekë. 
Ndërkohë që vihet re një ndryshim i trajtimit të Bashkisë së Tiranës në periudhën kur qeverisja qëndrore është drejtuar nga kryeministri Berisha dhe në krye të qeverisjes vendore të Tiranës, Edi Rama. Nga viti 2007, qeveria Berisha ka rritur fondet për Tiranën me 30% krahasuar me 2006-ën, ndërsa financimi nga buxheti i shtetit per 2008 është rritur me 53.6% më shumë se sa po i njëjti vit. 
Po kështu Bashkia e Ramës në vitin 2009 shënon vitin me financimin më të lartë me rreth 967 milionë lekë, apo një transfertë me gati tre herë më shumë se sa në kohën kur në qeveri drejtonin të majtët. Shkëputjen më të madhe në financim, krahasuar me bashkitë e tjera, Tirana e ka marrë kryesisht pas vitit 2006, për të arritur kulmin në vitin 2009 dhe 2012 me gati 500 milionë lekë më shumë se sa bashkia e dytë më e financuar, që është ajo e Durrësit.
Në vendin e tretë për përfitim të fondeve të buxhetit të shtetit qëndron bashkia e Shkodrës. Më tej renditet bashkia Elbasan e cila vetëm pas vitit 2008 ka pasur një rritje të fondeve me 58,38%. Në vendin e pestë qëndron bashkia e Vlorës, edhe kjo pas 2008 është mbështetur më shumë me fonde nga qeveria. Pra sic shihet qartë edhe nga humultimi i “Open data” pavarësisht se në këto bashki gjatë kësaj periudhe kanë drejtuar të majtët, qeveria e drejtuar nga kryeministri Berisha e ka mbështetur më shumë pushtetin vendor me fonde, krahasuar me financimet që u bëheshin këtyre bashkive në kohën kur qeveriste vet e majta.