“Për vitet 2007-2011 vdekshmëria mëmësore qëndron në nivelin 31 vdekje për njëqind mijë lindje. Ky indikator ka ardhur në rënie pasi në vitet 1992-1996 shënohet në nivelin 44 vdekje në njëqind mijë lindje. Megjithatë Shqipëria ende qëndron në nivele tepër kritike. Vdekshmëria mëmësore në Europë është 5-7 nëna për 100 mijë lindje ndërsa në Shqipëri është ende 31 nëna për njëqind mijë lindje, pra afro 5 herë më e lartë,” thuhet në vëzhgimin e kryer nga Olta Begu.
“Në krahasim me rajonin Shqipëria ka një tregues tëpër negativ. Ajo radhitet në mënyre alarmante si vendi me vdekshmëri mëmësore më të lartë në rajon. Në vendin tonë në cdo njëqind mijë lindje vdesin dy herë më shumë nëna se sa në Malin e Zi, dhe rreth katër herë më shumë nëna se në Maqedoni. Në krahasim me Greqinë në Shqipëri vdesin pesëmbëdhjetë herë më shumë nëna në njëqind mijë lindje,” thuhet më tej në raport.
Vdekshmëria e nënave gjatë lindjeve ka shumë faktorë, por ato që besohet se ndikojnë më së shumti në Shqipëri, është gjendja e keqe e shërbimeve spitalore.