Sistemi i arsimit dhe ai shëndetësor tregojnë paraqiten në një gjendje shumë të dobët për një vend që aspiron të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe të integrohet në Bashkimin Europian. Ndërkaq, raportet dhe të dhënat e publikuara nga një sërë organizatash e institucionesh shpalosin një panoramë të trishtë të këtyre sektorëve në Shqipëri, të cilët mbeten ndër më të nëpërkëmburit e të keqmenaxhuarit.

Arsimi dhe shëndetësia – prioritetet e fort-trumpetuara nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, nuk rezultojnë të kenë performuar veçanërisht mirë. Në fakt jemi diku në fund të listës, në Europë e në Ballkan. Këto janë rezultatet e publikuara nga Open Data Albania (ODA), dhe një sërë institucionesh të tjera. Performanca e keqe në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor, të cilat përfaqësojnë dy prej shtyllave kryesore të një shërbimeve publike, është vërejtur për një kohë të gjatë, madje ka përfaqësuar një sëmundje të vazhdueshme të sektorit publik në vend, por edhe të dhënat e fundit, tregojnë se nuk ka përmirësim.

Arsimi në vendnumëro

Sipas ODA (open.data.al), Shqipëria është ndër vendet e fundit në rajon për përqindjen e buxhetit të arsimit kundrejt PBB-së. Ajo lë pas vetëm Turqinë, ndërkohë që është shumë larg mesatares së BE-së. “Me trendin zbritës që ka marrë ky tregues vitet e fundit për Shqipërinë, duke shkuar në 2.8% për 2011-n, mund të thuhet se arritja e standardeve të BE-së për shpenzimet në arsim mbetet ende një iluzion”, vlerëson organizata. Sipas të dhënave të paraqitura nga ODA, Qiproja është shteti që investon më shumë nga Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto në arsim, mesatarisht 6.4%. Pas saj vjen Sllovenia me 5.68% dhe Hungaria me 5.15%.

Këto tre vende janë edhe mbi mesataren e BE-së prej 5.1%. Shqipëria duhet të plotësojë normën e 30 të diplomuarve ndër 100 qytetarë, për të arritur kësisoj standarde dhe cilësi në arsimin e lartë. Sipas një studimi të ODA-as ky është një kusht i vendosur nga Këshilli i Europës, dhe 10 vitet e fundit arsimi i lartë duket se e ka ndryshuar krejt fizionominë. Por Shqipëria vazhdon t ëmbetet poshtë shifrës 30. Ndërkaq, një problem tjetër lidhet me faktin sesa të vlefshme janë diplomat e arsimit të lartë të lëshuara në Shqipëri.

Të dhënat e paraqitura nga ODA tregojnë se vetëm 25% e programeve të universiteteve private janë akredituar. Në vijim të procesit janë 20 programe, ndërkohë që pjesa më e madhe janë ende të paakredituar. “Akreditimi i universiteteve private merr rëndësi të veçantë për publikun, pasi janë institucione të reja dhe jo shumë të konsoliduara. Ndërsa për arsimin publik është një krijuar një traditë dhe një opinion i fituar ndër vite, informacioni i vetëm për të gjykuar mbi morinë e universiteteve private në qarkullim, për momentin mbetet akreditimi, i cili supozon plotësimin e standardeve”, vijon raporti i ODA-s.

Sipas një studimi të botuar nga Banka Botërore në prill 2011, vërehet se pothuaj në të gjitha shkollat e vrojtuara raportohen probleme të infrastrukturës së dobët dhe ambienteve të papërshtatshme. Sipas vrojtimit të kryer, në rreth 95 për qind të klasave, nuk mund të bëhet mësim kur moti është i keq, dhe shkollat vuanin nga mesatarisht 4 ditë ndërprerje energjie elektrike në muaj. Shkollat në zonat rurale rezultuan shumë më të vogla, shpesh pa linjë telefonike, me ndërprerje më të shpeshta të energjisë dhe pa bibliotekë.

Kurse, në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale,për sa i përket arsimit të lartë dhe trajnimeve të specializuara, Shqipëria renditet shumë poshtë krahasuar me pothuaj të gjithë Europën Juglindore – në vendin 84 – duke u paraqitur më mirë vetëm se Bosnja (vendi 88).

Rritja e buxhetit, e panevojshme?

Megjithatë, investimet në arsim në Shqipëri duhen parë edhe nga një këndvështrim tjetër. Nëse shihet realizimi i buxhetit të shtetit sipas sektorëve, kur fjala vjen te arsimi, duhet pasur parasysh edhe rishikimi i buxhetit në fund të vitit 2010. Investimet kapitale të planifikuara për vitin 2010 ishin 8.5 miliard lekë, ose sa 19.5% e të gjithë buxhetit të Ministrisë së Arsimit, por me rishikimin e buxhetit në korrik, buxheti për investim u reduktua (si pasojë e krizës), duke arritur në 4.5 miliardë lekë apo sa 12% e totalit të buxhetit. Investimet në tërësi, të realizuara për 2010 ishin 82%.

Sipas këtyre të dhënave, një realizim i shpenzimeve deri në 82% nuk është edhe aq i keq nëse merret parasysh performanca e viteve 2008-2009 me shifra që luhateshin te 60% realizim, duke shënuar rezultate katastrofike, veçanërisht në arsimin universitar, me shifra që pasqyronin një bilanc gati sabotues. Por, duke marrë parasysh se buxheti në dispozicion të arsimit, thuajse u përgjysmua në mes të vitit që shkoi, niveli i realizimit me vetëm 82% të shumë së mbetur është tejet i dobët.

Mosrealizimi i investimeve, në një kohë që buxheti i arsimit konsiderohet i ulët nga aktorë opozitarë, sugjeron se edhe një rritje e buxhetit në përqindje të krahasueshme të PBB-së me vendet e rajonit, është një kërkesë e kotë, përderisa edhe buxheti (i përgjysmuar) në dispozicion nuk arrin të realizohet.

Si rrjedhojë, “beteja” për buxhet më të lartë për arsimin është një krijesë tërësisht mediatike dhe jooperative në terrenin praktik. Rezultatet e deritanishme tregojnë se problemi kryesor është keqmenaxhimi i sektorit, ndaj siç keqmenaxhohen 1 milionë dollarë,e njëjta performancë mund të zbatohet me sukses edhe në rastin e 1 miliard dollarëve. Ky është një rast tipik, kur diskutimi shterp për sasinë, duhet orientuar nga cilësia.

BB: Arsimi ndikon ekonominë

Sipas një studimi të Bankës Botërore (BB), pasja e një ekonomie tregu, që të jetë konkurruese brendapërbrenda BE-së, është një kusht thelbësor për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Sidoqoftë, në shumë aspekte, ekonomitë e vendeve të Europës Juglindore nuk kanë arritje të kënaqshme. Bashkimi Europian ka përcaktuar 16 tregues, përfshirë pesë standarde, me anë të të cilave do të monitorojë kontributin e arsimit dhe kualifikimit në realizimin e Axhendës së Lisbonës.

Sipas BB-së, treguesit për arsimin e lartë janë të paktë në numër dhe për shumë vende të Europës Juglindore nuk ka të dhëna të krahasueshme, por një mjet më i vlefshëm për krahasimin e vendeve është “Raporti për aftësinë e konkurrencës në botë” i Forumit Botëror Ekonomik (ËEF), ku Shqipëria paraqitet shumë keq. Nga 131 vendet që klasifikohen për vitin 2007, Sllovenia dhe Kroacia ishin vendet më të suksesshme të Europës Juglindore, të renditura, përkatësisht, në vendin e 39- të dhe 57-të, ndërsa vendet e tjera të Europës Juglindore ishin më poshtë se vendi i 70-të. Vetë Shqipëria renditej e 109-a!

Ekspertët e Bankës Botërore theksojnë se krijimi i një ekonomie konkurruese, e një ekonomike që është në zhvillim dhe krijon vende pune të orientuara në drejtim të së ardhmes, kërkon masa politike në shumë sektorë, përfshirë arsimin, dhe veçanërisht arsimin e lartë. Studimet që ka bërë Banka Botërore që në fillim të viteve ’90-të, tregojnë se zhvillimi i arsimit të lartë lidhet me zhvillimin ekonomik. Këto konkluzione janë përforcuar nga studimet më të fundit për ndërtimin e shoqërive të dijeve. Këto studime tregojnë se aftësia e një shoqërie për të prodhuar, përzgjedhur, përshtatur, tregtuar dhe për të përdorur dijet është shumë e rëndësishme për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.

Shëndetësia “prapa kthehu”

Shëndetësia është sektori tjetër jopërformues, pas arsimit. Madje në këtë sektor, pasojat e keqmenaxhimit mund të marrin ngjyrime makabre. Megjithëse investimet në shëndetësi, kanë qenë pjesë përbërëse e çdo fushate elektorale, në çdo kohë dhe nga cilado forcë politike, rezultet ajnë ato të një shërbimi të prapambetur dhe jocilësor. Një shpjegim lidhet direkt me financimet e vëna në dispozicion për këtë sektor.

Shpenzimet e sektorit publik për shëndetësinë llogariten si shuma e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe e fondeve të kontributeve shëndetësore. Sasia e financimit që alokon një shtet nga Buxheti i tij për shëndetësinë është një tregues shumë i mirë i prioritetit që i jepet këtij sektori dhe akoma më tej i rëndësisë që merr jeta e një shtetasi në shifrat e Buxhetit.

ODA ka kryer një hulumtim mbi shumat që shpenzojnë vendet e rajonit nga Buxheti i tyre për shëndetësinë, në raport me shpenzimet totale të Buxhetit. Vendi që shpenzon më pak nga buxheti i tij për shëndetësinë është Shqipëria. Në vitet 2003-2006 pesha e buxhetit të alokuar për këtë sektor, ndaj Buxhetit Total përjetoi rritje, por 2007-a e gjeti Shqipërinë me një rënie 15% krahasuar me një vit më parë. Sipas Open Data Albania vitet 2008 dhe 2009 vazhduan ta shkëputin vendin nga pjesa tjetër e rajonit duke shpenzuar vetëm 8.4% të Buxhetit për shëndetësinë, krahasuar me një minimum prej 10.2% që po shpenzonin fqinjët.

Shqipëria është vendi që në mënyrë të vazhdueshme ka shpenzuar më pak nga buxheti i saj për shëndetin. Ky fakt shoqërohet me shpenzime të larta të sektorit privat. Në kushtet kur shteti nuk paguan një shërbim, individi paguan drejtpërsëdrejti vetë për të. Nëse studiohet pesha që zënë shpenzimet publike ndaj shpenzimeve totale për shëndetësinë, do të shikohet se Shqipëria është vendi ku shpenzimet publike zënë peshën më të vogël. Pra, shqiptarët shpenzojnë më shumë nga xhepi i tyre për kujdesin shëndetësor se sa fqinjët. Ndërkohë, Kroacia është vendi që shpenzon më shumë nga buxheti për shëndetësinë. Në fakt, edhe shpenzimet private të individëve janë më të ulëtat në rajon.

Nga vlerësimet e ODA-s, rezulton se Sektori publik mbulon vetëm 40 për qind të shpenzimeve në shëndetësi, pjesa tjetër mbulohet nga sektori privat. Instituti I Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor mbulon vetëm 45 për qind të shpenzimeve për shëndetësinë të familjeve shqiptare. Më të goditur nga kjo gjë janë grupet me nivel të ulët të ardhurash. Për sistemin financiar që ka zgjedhur Shqipëria për shëndetësinë pritej që sektori publik të kishte një prevalencë më të lartë.

Ndërkaq, studime të publikuara nga Banka Botërore, i trajtojnë dinamikat e sistemit shëndetësor shqiptar në një rrafsh më akademik. Sipas studimit të kryer nga Caryn Bredenkamp dhe Michele Gragnolati në vitin 2007, trashëgimia e sistemit shqiptar të shëndetësisë bazohet në modelin sovietik “Semashko”, i cili historikisht financohej direkt nga buxheti i qeverisjes qendrore, ku alokimet sipas njësive të ndryshme bëheshin në norma që u korrespondonin numrave të popullatës.

SIpas studimit, sigurimet shëndetësore hynë në veprim vetëm në vitin 1995 dhe ende sot nuk luajnë një rol të rëndësishëm: “Edhe pse në Shqipëri ekziston një skemë kontributesh shëndetësore, sigurii shëndetësor arrin të financojë vetëm 25% të sektorit të shëndetit publik”.

Nga ana tjetër, sipas këtij studimi, shumë shqetësues është fakti se në Shqipëri dhe Bosnje, më shumë se gjysma e financimeve për sektorin shëndetësor bëhen në formën e pagesave nga xhepi (me para në dorë), sesa përmes skemave të sigurimit shëndetësor, çka potencialisht e bën sistemin shëndetësor më pak të aksesueshëm nga të varfrit.

Edhe gjatë kësaj fushate elektorale, investimet në arsim e shëndetësi renditeshin ndër premtimet kryesore. Megjithatë, diçka e tillë ka ndodhur edhe në çdo fushatë tjetër, ndaj gjasat që ketë një përmbajtje ndaj premtimeve, janë të ulëta.