Open Data Albania ka kryer një hulumtim bazuar në rezultate të investigimit të dy organizmave të rëndësishëm të shoqërisë civile që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ProPublica dhe Sunlight Foundation. Në bazë të të dhënave të këtyre dy organizatave, të cilat kanë investiguar mbi pagesa të lobuesve të huaj në SHBA, rezulton se tri partitë kryesore parlamentare në Shqipëri kanë shpenzuar mijëra dollarë për lobim gjatë viteve 2009-10.

Në totalin e shpenzimeve për këtë qëllim, një pjesë të mirë e ka shpenzuar edhe qeveria. Në bazë të këtyre të dhënave rezulton se në vitin 2010 nëpërmjet firmës lotuese Patton Boggs, qeveria shqiptare ka shpenzuar 825 mijë dollarë për lobim në SHBA. Arsyet për ndërmjetësim lobues janë nga më të ndryshmet dhe lidhen si me marrëdhënie bilaterale ashtu edhe me programe dhe financime për Shqipërinë.

PD rezulton se ka shpenzuar 120 mijë dollarë, të cilat i janë paguar firmës BKSH & Associates kryesisht për vizitat e folëses së Kuvendit, Jozefina Topalli në 10 raste dhe në 6 raste për takimet e kryeministrit Berisha. Rezulton se në vitin 2009, Berisha, ka lidhur tre kontrata lobuese për t’u takuar me kandidatin humbës në garën presidenciale, John McCain.

LSI ka shpenzuar 154 mijë dollarë, të cilat ua ka paguar firmave Dutko Wolrdwide LLC dhe Blues Star Strategies, LLC. Kjo shumë kryesisht është paguar për strategjinë elektorale në zgjedhjet e vitit 2009.

PS ka paguar 82 mijë dollarë, të cilat janë shpenzuar për të lobuar për takime për situatën politike në Shqipëri me zyrën e zv.presidentin të SHBA-ve si edhe për intervista me medien amerikane. PS ka pajtuar për këto shërbime firmë Rasky Baerlein Strategic Communications.

shekulli