Në një hulumtim bazuar në rezultate të investigimit të dy organizmave të rëndësishëm të shoqërisë civile që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ProPublika dhe Sunlight Foundation që kanë investiguar mbi pagesa të lobuesve të huaj në SHBA, Open Data Albania ka publikuar shifrat, emrat dhe të dhënat e këtyre lobingjeve.

Sipas këtij investigimi rezulton se në vitet 2009-2010 edhe partitë kryesore shqiptare kanë kontraktuar dhe paguar për lobim amerikan, shërbim i cili ka kapur shifren e 1 milionë dollarëve.

ODA shton se emrat e disa kongresmenëve dhe senatorëve rezultojnë në investigimin mbi lobuesit e kontraktuar dhe paguar nga Shqipëria. Në total ODA konstaton se partitë politike shqiptare gjatë dy viteve kanë bërë pagesa në vlerën 356 548 dollarë amerikan për Lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dhënat që po publikon Open Data Albania hedhin dritë mbi kontakte të partive politike me kompani, firma lobuese me qëllime nga më të ndryshmet.

Këto para paguhen kryesisht për ndërmjetësim dhe organizim të takimeve me personalitete të larta kryesisht në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në Senatin Amerikan. Gjithashtu çështje për të cilat partitë politike shqiptare kërkojnë lobim në SHBA janë edhe diskutime dhe vlerësime të situatës politike apo elektorale në Shqipëri.

Sipas hulumtimit mësohet se në disa raste partitë politike, kryesisht Partia Socialiste si opozitare, kanë kërkuar edhe ndërmjetësimin lobues për të realizuar intervista apo raportime në media të rëndësishme ndërkombëtare, mbi situatën e korrupsionit dhe problematikën elektorale në vendin tonë. Në një rast partia në pushtet ka paguar edhe për lobin mbi çështjen e anëtarësimit në NATO. Ndërkohë sipas të dhënave që hulumton ODA Partia për Drejtësi dhe Integrim ka kontaktuar ndjeshëm mbi çështje që lidhen me të drejtat e komunitetit çam.

Konkretisht-thotë studimi- në vitet 2009 -2010, jane paguar për lobim amerikan nga Parti Poltike Shqiptare shumat si me poshte:

Partia që ka shpenzuar më shumë është Lëvizja Socialiste për Integrim LSI në vlerën 154 298 $, pasuar nga Partia Demokratike me 120 000$. Për lobim ka paguar edhe Partia Socialiste në vlerën 82 250 $. Hulumtimi mbi lobimin e partive politike shqiptare në SHBA zbardh një numër të zgjeruar kontaktesh edhe të Partisë për Drejtësi dhe Integrim mbi Ceshtjen Çame. Por në rastin e PDI nuk konstatohen pagesa korente.

Open Data Albania publikon të dhëna të investigura nga Sunlight Foundation për Shqipërinë duke përcjellë të zgjeruar pagesat, datat, vlerën e tyre, çështjen e lobuar, firmën lobuese, formën e kontaktit dhe emrat e përfaqësuesve të rëndësishëm të përfshirë në procese lobuese sipas interesit të partive politike shqiptare.

Lexuesi i IDEA mund të mësojë më shumë mbi rezultatet duke klikuar në këtë link:

http://foreignlobbying.org/country/Albania/