Të ardhurat tatimore janë zëri kryesor në sigurimin e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit. Në vijim jepen parashikimet lidhur me zërat përbërës të të ardhurave tatimore në Buxhetin e Konsoliduar për vitet 2004-2012. Të dhënat për të ardhurat tatimore janë marrë nga Ministria e Financave në seksionin e Buxhetit ndër vite.

Të ardhurat tatimore në buxhetin e shtetit përbëhen nga të ardhura nga tatimet dhe doganat, të ardhurat nga pushteti vendor dhe të ardhurat nga fondet speciale ose kontributet. Të ardhurat nga tatimet e doganat përbëhen nga tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi fitimin, akcizat, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale e taksat doganore. Ndërsa të ardhurat nga pushteti vendor janë burim i taksave lokale, tatimit mbi pasurinë si dhe tatimi mbi biznesin e vogël.

Gjatë viteve 2004-2012 këta tregues fiskal, pjesë e buxhetit të konsoliduar, kanë ardhur duke u rritur. Përjashtim përbën viti 2012 ku të ardhurat nga tatimet dhe doganat me janë ulur me 1.9% krahasuar me vitin paraardhës dhe të ardhurat nga pushteti vendor me 15.5%. Të ardhurat nga kontributet në këtë vit janë rritur me 0.3%.

Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe analiza: Open Data Albania

Në vitin 2012 sipas buxhetit të konsoliduar të publikuar nga Ministria e Financave peshën kryesore të të ardhurave tatimore e zënë të ardhurat nga tatimet dhe doganat me 77% ose e përkthyer në vlerë, 251 168 000 000 lekë (dyqind e pesëdhjetë e një miliard e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë lekë). Më pas vijnë të ardhurat nga kontributet me 18% të të ardhurave tatimore. Të ardhurat nga taksat lokale, tatimi mbi pasurinë si dhe tatimi mbi biznesin e vogël vetëm 5% ose 14 624 000 000 lekë.


Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe analiza: Open Data Albania

Kontribuoi: Griselda Rruci