Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta që arrijnë deri në 400 milionë ton naftë.  Sipas burimeve zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore, rreth 40 milionë tonë naftë janë ende të pashfrytëzuara. “Open Data” ka kryer një hulumtim mbi eksport-importet shqiptare të naftës.
Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Kjo fushë prej 44 mijë hektarë është burimi më i madh natyror i naftës në të gjithë Evropën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçi naftë në vit.
Si pasojë e rritjes së investimeve të huaja eksportet e naftës vendase janë rritur me ritme shumë të shpejta që prej vitit 2005. Eksportet e naftës shqiptare drejt tregjeve të huaja në fund të vitit 2012 arritën në 56.7 miliardë lekë, duke dominuar kështu totalin e eksporteve vendase. Në raport me një vit më parë, eksportet janë rritur 36%, ndërsa kundrejt vitit 2005 ato kanë regjistruar një rritje prej 2880%.
Të njëjtën ecuri pozitive kanë regjistruar edhe eksportet në sasi, duke shënuar 1 milionë ton në fund të vitit 2012. Në raport me një vit më parë ato janë rritur 36.3%. ndërsa kundrejt vitit 2005 rritja është 1193%.
Edhe në 10-muajt e parë të vitit 2013, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ecuria e eksporteve të naftës ka vijuar të jetë pozitive duke u rritur në nivelet e një viti më parë. Në fund të tetorit 2013 eksportet kishin arritur në 1.6 milionë tonë.
Eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon në vend për t’u përdorur në konsumin vendas. Në total, në fund të vitit 2012 janë importuar në Shqipëri rreth 430 mijë ton karburante. Sasia e importeve të karburanteve ka shënuar rënie në vitet e fundit si pasojë e krizës ekonomike dhe reduktimit të përdorimit të automjeteve nga konsumatorët. Rënia ka vijuar edhe në vitin 2013, duke u tkurrur në 359 mijë ton.