Borxhi për frymë tregon se sa një shtet është në gjendje të paguajë borxhin e tij. Ecuria e tij ka qënë në rritje nga viti në vit, sidomos në dy vitet e fundit: 2013-n dhe parashikimin për vitin 2014, në të cilat ritmet e rritjes kanë qënë më të larta, thekson studimi i bërë nga Open Data Albania. Për vitin 2013 borxhi për frymë shënon 326 999 lekë apo 11.16 për qind më shumë se sa në vitin 2012.
Në 2014-n pritet që kjo vlerë të arrijë në 370 224 lekë, që është 13.22 për qind më shumë se një vit më parë apo 43 226 lekë që i shtohen borxhit për frymë që mbarte çdo banor i Shqipërisë në 2013-n. Kjo do të thotë se një familjeje mesatare prej 4 personash në vitin 2014 i është rritur borxhi me 172 904 lekë, për të arritur në nivelin 1 480 896 lekë. Në ecurinë e borxhit për frymë ndikon në të njëjtën kohë stoku i borxhit dhe popullsia.
Grafiku në vijim jep trendin e tyre, duke pasqyruar qartë se rritja e stokut të borxhit është faktori mbizotërues që shpjegon rritjen e borxhit për frymë nga viti në vit. Megjithatë, edhe tkurrja e popullsisë ka ndikuar në rritjen e borxhit për frymë, por në masë shumë më të vogël se sa rritja e stokut të borxhit. Por ndërkohë, nuk duhet harruar se jo e gjithë popullsia kontribuon me taksa dhe tatime në buxhetin e shtet. Kjo do të thotë se “borxhi për taksapagues” apo persona që realisht do e shlyejnë atë është akomë më i lartë.
Në vitin 2012, borxhi për frymë mendohet të jetë rreth 287 648 lekë, referuar kjo parashikimeve të bëra nga Ministria e Financave që në 1 Gusht, 2012 , për nivelin e pritshëm të stokut të borxhit deri në fund të vitit. Në fakt, ka pak gjasa që borxhi për frymë të qëndrojë në këtë nivel, pasi që në 30 Shtator, 2012, Ministria e Financave raporton një stok borxhi 9-mujor prej 814 miliardë lekësh , që është afërsisht 99.79 për qind e stokut të borxhit që duhej të rezultonte deri në fund të vitit.
Megjithatë, edhe rritja e stokut të borxhit me 57.2 miliardë lekë apo 8 për qind më shumë, dha ndikimin e tij në arritjen nivelit të borxhit për frymë nga 223 949 lekë në vitin 2010, në 273 831 lekë në vitin 2011. Ky ka qenë viti i vetëm, në të cilin rritja e “borxhit për frymë” shpjegohet kryesisht nga variabli popullsi, pasi për vitet në vijim, stoku i borxhit është faktori mbizotërues. Sipas studimit borxhi total për vitin 2014 është rritur me rreth 120,4 miliardë lekë krahasuar me vitin 2013, ndërsa rritja 2012-2013 ishte rreth 83,7 miliardë lekë. Përveç huamarrjes për të mbështetur buxhetin dhe projektet e huaja, këtë vit në rritjen e borxhit ka ndikuar edhe përfshirja e pagesës së detyrimeve të prapambetura për 35 miliardë lekë (sipas tabelës shoqëruese të Buxhetit të Konsoliduar), e cila do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve në sektorin e infrastrukturës dhe detyrimet tatimore.

Si ndikon borxhi për frymë në buxhetin e shtetit?
Si një ndër indikatorët më të rëndësishëm, i cili ndihmon në gjykimin e aftësisë paguese  së një shteti për të shlyer borxhin e tij, “shuma e borxhit për frymë” paraqet një interes të vecantë për t’u marrë në shqyrtim. Ai llogaritet si raport i borxhit total publik të emëtuar dhe ende të pashlyer me popullsinë në një vit të caktuar dhe është një ndër elementët kryesor që përcakton riskun dhe normën e interesit të letrave me vlerë. Borxhi për frymë ka përjetuar një rritje me ritme jo të ngadalta. Rritjen më të madhe e ka pasur në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010, me rreth 22.27 për qind. Duhet theksuar se kjo rritje e madhe ka ardhur kryesisht nga ulja e numrit të popullsisë së raportuar nga INSTAT me rezultatet e Censusit për vitin 2011, nga e cila rezultonte një popullsi 11.27 për qind më e vogël se sa në vitin 2010.