Niveli i borxhit publik, si në nivel kombëtar, por llogaritur edhe për frymë, ka ardhur në rritje nga viti në vit. Referuar të dhënave të publikuara nga “Open Data Albania”, rezulton se borxhi publik për frymë sipas parashikimeve buxhetore këtë vit do të arrijë në vlerën 370 224 lekë.
Kjo vlerë është rreth 13.22% më shumë se një vit më parë apo 43 226 lek që i shtohen borxhit për frymë që mbarte çdo banor i Shqipërisë në 2013.Borxhi për frymë është një indikator që llogaritet si raport i borxhit total publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit (i cili ende nuk është shlyer) me popullsisë e atij vendi. Ai shërben për të identifikuar shumën e borxhit publik që i takon cdo qytetari dhe cilësohet si një ndër treguesit kryesor që shpreh aftësinë e një shteti për të vazhduar të shlyejë borxhin me anë të të ardhurave të gjeneruara nga taksat.
Ndërsa, referuar statistikave të mësipërme, një familje mesatare me katër pjesëtarë në vitin 2014 ka një “pjesë tek borxhi publik“ prej 1 480 896 lekë. Borxhi total për këtë vit është rritur me 120,4 miliardë lekë kundrejt 2013. Sipas analizave të bëra  mbi rritjen e nivelit të borxhit publik, veç huamarrjes për të mbështetur buxhetin dhe projektet e huaja këtë vit ka ndikuar edhe përfshirja e pagesës së detyrimeve të prapambetura për 35 miliard lekë, detyrime të prapambetura në sektorin e infrastrukturës dhe sektorit tatimor.
Por krahas nivelit të borxhit, në këtë analizë është llogaritur edhe kosto e borxhit për frymë, si raport i interesave që do të paguhen nga Buxheti i Shtetit për huanë ende të pashlyer në raport me popullsinë e vendit. Në vitin 2014 kjo kosto për frymë sipas parashikimeve buxhetore llogaritet në 16 645 lekë për frymë.