Të nderuar miq,
Open Data Albania ka publikuar sëfundmi një grup artikujsh mbi strukturën dhe efektet e Borxhit Publik sipas ecurisë në vitin e fundit 2013, dhe parashikimeve për 2014-ën. Konkretisht edhe në këtë fillim viti janë sjellë të përditësuara të dhëna mbi Borxhi Publik për Frymë 2014 dhe Kosto e Borxhit për Frymë 2014.
Po kështu janë përditësuar artikuj mbi Borxhin Publik, i brendshëm dhe i jashtëm sikurse edhe Borxhi Publik sipas afatit të maturimit.
Disa detaje nga publikimet e Open Data Albania mbi Borxhin janë si vijon:
• Borxhi Publik për Frymë sipas parashikimeve buxhetore 2014 do të arrijë në vlerën 370 224 lekë. Kjo vlerë është rreth 13.22% më shumë se një vit më parë apo 43 226 lek që i shtohen borxhit për frymë që mbarte çdo banor i Shqipërisë në 2013.
• Një familje mesatare me katër pjesëtarë në vitin 2014 ka një “pjesë tek borxhi publik“ prej 1 480 896 lekë.
• Borxhi Total në vitit 2014 është rritur me 120,4 miliardë lekë kundrejt 2013. krahasuar me vitin paraardhës, në 2013 ku ky borxh ishte rreth 83,7 miliardë lek më shumë se 2012-ta.
• Veç huamarrjes për të mbështetur buxhetin dhe projektet e huaja këtë vit në rritjen e borxhit ka ndikuar edhe përfshirja e pagesës së detyrimeve të prapambetura për 35 miliard lek, detyrime të prapambetura në sektorin e infrastrukturës dhe sektorit tatimor.
• Kosto e Borxhit për Frymë llogaritet si raport i interesave që do të paguhen nga Buxheti i Shtetit për huanë ende të pashlyer në raport me popullsinë e vendit. Në vitin 2014 kjo kosto për frymë sipas parashikimeve buxhetore llogaritet në 16 645 lekë për frymë.
• Borxhi Publik mund të emetohet brenda vendi dhe mbahet nga rezident si borxh i brendshëm, ose jashtë vendit dhe mbahet nga jo rezident, borxh i jashtëm. Stoku i borxhit publik deri në përfundim të tremujorit të tretë të 2013 shënonte vlerën e 871.8 miliardë lekë ose 62.2% e PBB. Raporti Borxh i Brendshëm dhe Borxh i Jashtëm është 57.37% me 42,63%. Ose në vlera Borxhi i Brendshëm është 500.2 miliardë Borxhi i Jashtëm është 371.6 miliardë lek.
• Sipas afatit të maturimit 249.2 miliardë lekë ose 30.4% e Borxhit janë borxhe afatshkurtra ndërsa 569.5 miliard janë apo 69.6% janë borxh afatgjatë.
Më shumë detaje mbi këto të dhëna ju mund të gjeni duke lexuar artikujt përkatës tek rubrika Artikuj e Open Data Albania. Gjithashtu parashikimin buxhetor sipas funksioneve ju mund ta gjeni tek platforma e re Data Spending Albania konkretisht tek Buxhetit 2014.
Ju faleminderit