Niveli i borxhit publik, si në nivel kombëtar, por llogaritur edhe për frymë, ka ardhur në rritje nga viti në vit. Referuar të dhënave të publikuara nga “Open Data Albania”, rezulton se borxhi publik për frymë sipas parashikimeve buxhetore këtë vit do të arrijë në vlerën 370 224 lekë. 

Kjo vlerë është rreth 13.22% më shumë se një vit më parë apo 43 226 lekë që i shtohen borxhit për frymë që mbartte çdo banor i Shqipërisë në 2013. Ndërsa referuar statistikave të mësipërme, një familje mesatare me katër pjesëtarë në vitin 2014 ka një “pjesë tek borxhi publik” prej 1 480 896 lekë. Borxhi total për këtë vit është rritur me 120,4 miliardë lekë kundrejt 2013. 

Sipas analizave të bëra mbi rritjen e nivelit të borxhit publik, veç huamarrjes për të mbështetur buxhetin dhe projektet e huaja këtë vit ka ndikuar edhe përfshirja e pagesës së detyrimeve të prapambetura për 35 miliardë lekë, detyrime të prapambetura në sektorin e infrastrukturës dhe sektorit tatimor.