Open Data Albania po hulumton mbi vdekshmërinë nga sëmundje kancerogjene në vendin tonë dhe në vende të rajonit. Vdekshmëria nga sëmundje kancerogjene është numri i personave që humbasin jetën nga kanceri në një vend të caktuar gjatë një viti për çdo 100 mijë banorë të asaj popullsie. Gjithashtu në analizë është vlerësuar edhe vdekshmëria nga kanceri sipas grupeve gjinore, sikurse vdekshmëria për lloje të ndryshme të kancerit.

Analiza bazohet në të dhënat e Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetit për një vit të caktuar konkretisht viti 2008. Në këtë vit niveli i vdekshmërisë në vendin tonë është është 693.9 vdekje për çdo 100,000 banorë. Nga sëmundjet kancerogjene janë shkaktuar 23% e totalit të vdekjeve, konkretisht 156.2 vdekje nga kanceri për çdo 100 mijë banorë.

Në Shqipëri meshkujt kanë nivel më të lart vdekshmërie nga kanceri kundrejt femrave. Konkretisht për çdo 100 mijë meshkuj numri i atyre që vdesin nga kenceri është 173.9, ndërsa për femrat ky indikator është 128 raste vdekje nga kanceri në çdo 100 mijë femra. Tumoret që prekin trakenë bronket dhe mushkrit janë edhe tumoret me vdekshmëritë më të larta ndër meshkuj duke shënuar 44 raste vdekjesh për çdo 100 mijë meshkuj, pasuar nga  tumore të stomakut  me tregues 24.7 raste. Ndërsa për femrat tumoret më të rrezikshme sa i takon vdekshmërisë janë po tumoret që prekin traketë, mushkrit dhe bronket pasuar nga kanceri i gjirit me 18 raste për çdo 100 mijë femra dhe ai i stomakut me 17 raste për çdo 100 mijë.


Burimi: Banka Botërore
Komentet dhe analiza: ODA

Nëse do të konsiderojmë vdekshmërinë në total për të dy gjinitë peshën kryesore si shkaktare e vdekshmërisë tek njerëzit e mbart kanceri i trakeve, bronkeve dhe mushkërive me 28% ndaj totalit. Një pjesë të konsiderueshme e përbën gjithashtu vdekshmëria prej kancerit të stomakut me 19% të totalit. Kanceri i gjirit si një fenomen që ndodh vetëm tek gjinia femërore mbart gjithashtu një peshë të madhe prej 9% ndaj totalit. Kanceri i pankreasit nga ana tjetër përbën 8% ndaj totalit dhe pasohet nga kanceri i mëlçisë dhe ai I zorrës së trashë me 6%.


Burimi: Banka Botërore
Komentet dhe analiza: ODA

Sipas vlerësimit për rajonin vdekshmëria nga tumoret në vendin tonë për çdo 100 mijë banorë është në nivel relativisht më të ulët. Kjo lidhet edhe me jetgjatsinë mesatare të popullsisë. Vdekshmëria mesatare nga tumoret në nivel botëror për këtë vit nën analizë është 114.5 persona për çdo 100 mijë banorë. Vendet e rajonit të marra në shqyrtim kanë një vdekshmëri shumë të lartë për këtë kategori sëmundjesh.

Italia e Sllovenia të cilat kryesojnë klasifikimin qëndrojnë në nivele thuajse të njëjta, rreth 290 persona të vdekur për 100 mijë banorë. Këto dy vende pasohen nga Serbia e Bullgaria me përkatësisht 264.4 dhe 245.2 të vdekur për 100,000 banorë. Shqipëria nga ana tjetër ka një nivel thuajse të njëjtë me shtetin fqinjë, Malin e Zi. Në Shqipëri vdekshmëria prej sëmundjeve kancerogjene në këtë vit ka qenë 170.8, ndërsa në Mal të Zi 177.8 për 100,000 banorë.



Burimi: Banka Botërore
Komentet dhe analiza: ODA

Kontribuoi: Griselda Rruci