Data Albania ka kryer një kërkim mbi çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në Shqipëri, rajon dhe Bashkim Europian. Të dhënat janë grumbulluar nga zyra statistikore e BE Eurostat.

Çmimi i energjisë llogaritet si euro për kilowatt/orë dhe është i vlefshëm vetëm për konsumatorin familjar. Në Shqipëri, çmimi është mesatarja e paguar nga familjet për kW/h pavarësisht se konsumi është me dy tarifa, me çmim më të ulët për konsumin mujor deri në 300 kWh prej 9.24 lekë me TVSH (0.066 euro) dhe për konsumin mbi 300 kWh në masën 16.2 lekë (0.16 euro) . Çmimet zyrtare të energjisë elektrike nuk kanë ndryshuar që nga viti 2008.

Por pavarësisht çmimit zyrtar, Eurostat vlerëson se çmimi efektiv i paguar nga familjet shqiptare për energjinë elektrike është në masën 0.116 euro për kWh për vitin 2013 . Të dhënat janë për tremujorin e parë të vitit 2013, kur konsumi i familjeve shqiptare është më i lartë se sa në verë dhe rrjedhimisht edhe çmimi mesatar i paguar është më i lartë.

Në rajonin e Ballkanit vetëm Rumania ka çmim më të lartë prej 0.132 eurosh për kWh, ndërsa vendet e tjera e kanë çmimin më të ulët. Mali i Zi e ka 0.1 euro për kWh ndërsa familjet në Bullgari paguajnë 0.092 euro për kWh. Në Bosnjë Herzegovinë dhe në Maqedoni gjendet çmimi më i ulët i energjisë elektrike për familjet në masën 0.08 euro për kWh.


Burimi:Eurostat
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në Bashkimin Europian çmimi i energjisë elektrike është afërsisht 80 për qind më i lartë se sa në Shqipëri, ose 0.2 euro për kWh. Vendi më i shtrenjtë është Danimarka, ku energjia elektrike kushton 0.3 Euro për kWh, kryesisht si pasojë e kostos së lartë të burimeve të reja të energjisë së rinovueshme si era, për të cilën Danimarka është e famshme.

Me përjashtim të vendeve të reja anëtare, Franca është një prej vendeve me çmim të ulët të energjisë për konsumatorët familjarë prej 0.147 eurosh për kwh, kryesisht si pasojë e përdorimit të lartë të energjisë bërthamore nga ky vend.


Burimi:Eurostat
Përpunimi dhe komentet: ODA

Çmimi i Energjisë Elektrike për familjet               


Burimi:Eurostat
Përpunimi dhe komentet: ODA

Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë Nr.148, datë 7.12.2011, “PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMEVE TË SHITJES ME PAKICË TË ENERGJISË ELEKTRIKE PËR KONSUMATORËT TARIFORË PËR PERIUDHËN E TRETË RREGULLATORE”. Kursi i këmbimit i përdorur këtu është 1 euro/140 lekë

http://epp.eurostat.ec.europa.eu/statistics_explained/index.php/Electricity_and_natural_gas_price_statistics

Kontribuoi: Gjergj Erebara