Bankat po e mbështesin gjithnjë e më pak biznesin me kredi, duke ndikuar kështu në frenimin e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Sidomos sektori i ndërtimit e ka vuajtur më shumë mungesën e kredidhënies, me një ulje vitin e fundit prej 15.2 %. Ndërsa e kundërta ka ndodhur me sektorin e energjisë dhe të bujqësisë për të cilët është  rritur huamarrja.
Kredidhënia
Sipas një studimi të fundit të Open Data Albania, në fund të vitit 2013, huaja në total arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 6.8 miliardë lekë, apo 1.22%.
Ndërkohë kredia për biznesin në 2013 shënoi vlerën 393,6 miliard lekë, duke shënuar gjithashtu rënie kundrejt vitit pararendës me vlerë 7.2 miliard lek.
Ndërtimi
Subjektet që kanë regjistruar një rënie të madhe në kreditim janë subjektet që veprojnë në fushën e ndërtimit, si një nga sektorët që po vuan edhe më shumë krizën ekonomike të vendit. Kredia për ndërtimin ra ndjeshëm duke zbritur në 53.8 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor 2013. Kundrejt një viti më parë kredia për sektorin e ndërtimin u tkurr me 15.2% duke shënuar kështu vitin e dytë radhazi  me rënie të kreditimit për këtë degë të rëndësishme të ekonomisë vendase.

Prodhimi
Në vitin 2013 është rritur ndjeshëm kreditimi për subjekte biznesi që punojnë në sektorin e prodhimit, shpërndarjes së energjisë elektrike, gazit dhe e ujit. Në fund të 2013-ës kreditimi për këtë sektor arriti në afro 50 miliard lekë duke përafruar me huanë që është dhënë për ndërtimin dhe duke u renditur në sektorin e katërt më të kredituar nga bankat. Kundrejt vitit 2012 kredia për sektorë të energjetikës është rritur me 7.5% por ndërkohë në raport me vitin 2007 ajo është katërfishuar.
Pronat
Edhe kreditimi për biznese që veprojnë në sektorin e pasurive të patundshme, dhënie me qira etj, ka pësuar ulje në kreditim kundrejt vitit pararendës, kjo hua zë një peshë shumë të vogël në totalin e kredisë për biznese. Rënie kanë shënuar edhe kreditimi për subjekte biznesi në degët e tregtisë, hotelerisë si dhe arsimit.
Bujqësia
Dega me një rritje të vazhdueshme në kreditimin bankar është bujqësia, e cila ka shënuar një zgjerim me 7% në vitin 2013 kundrejt një viti më parë. Ky sektor që është dhe ndër të paktit në vend që ka vijuar të ketë rritje pozitive edhe gjatë këtyre viteve të krizës ekonomike e kjo edhe si pasojë e programeve ndërqeveritare për kreditim të këtij sektori përmes sistemit bankar të nivelit të dytë.
Bujqësia zë ende një peshë minimale në totalin e kredisë bankare për bizneset, vetëm 2 për qind.