Kredia për biznesit ka ardhur duke u tkurrur nga viti në vit. Sipas një studimi të kryer nga Open Data Albania, mbi ecurinë e kredisë për bizneset sipas aktivitetit ekonomik, vihet re se ndërtimi është sektori më i penalizuar nga bankat, me ulje të kreditimit.  
Sipas  Open Data Albania në fund të vitit 2013, huaja në total arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej prej 6.8 miliardë lekë, apo 1.22%. Ndërkohë kredia për biznesin në 2013 shënoi vlerën 393,6 miliard lekë, duke shënuar gjithashtu rënie kundrejt vitit pararendës me vlerë 7.2 miliard lek. Sipas studimit, kredia për ndërtimin ra ndjeshëm duke zbritur në 53.8 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor 2013. 
Kundrejt një viti më parë kredia për sektorin e ndërtimin u tkurr me 15.2% duke shënuar kështu vitin e dytë radhazi  me rënie të kreditimit për këtë degë të rëndësishme të ekonomisë vendase.  Në vitin 2013 është rritur ndjeshëm kreditimi për subjekte biznesi që punojnë në sektorin e prodhimit, shpërndarjes së energjisë elektrike, gazit dhe e ujit. Në fund të 2013-ës kreditimi për këtë sektor arriti në afro 50 miliard lekë duke përafruar me huanë që është dhënë për ndërtimin dhe duke u renditur në sektorin e katërt më të kredituar nga bankat.
Kundrejt vitit 2012 kredia për sektorë të energjetikës është rritur me 7.5% por ndërkohë në raport me vitin 2007 ajo është katërfishuar. Edhe kreditimi për biznese që veprojnë në sektorin e pasurive të patundshme, dhënie me qira etj, ka pësuar ulje në kreditim kundrejt vitit pararendës, kjo hua zë një peshë shumë të vogël në totalin e kredisë për biznese. 
Dega me një rritje të vazhdueshme në kreditimin bankar është bujqësia, e cila ka shënuar një zgjerim me 7% në vitin 2013 kundrejt një viti më parë. Bujqësia zë ende një peshë minimale në totalin e kredisë bankare për bizneset, vetëm 2%.