Open Data Albania po hulumton mbi nivelin e pagave të punonjësve në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit TIK, në vendet e Bashkimit Europian. Kjo fushë po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe dhe si e tillë ngjall interes.

Sipas një studimi të bërë, pagat e këtij profesioni variojnë si në bazë të kualifikimeve dhe nivelit hierarkik të punës së kryhet. Tre kategoritë kryesore të marra në studim janë grupi i parë, ku përfshihen teknikët e TIK, të cilët merren me mirëmbajtjen e rrjeteve, asistencë teknike etj. 
Në grupin e dytë përfshihen specialistët e TIK, të cilët qëndrojnë një nivel më lart se grupi i parë dhe merren kryesisht me dizenjimin e websiteve, zhvillimin e programeve, zhvillimin e aplikacioneve etj. Në grupin e tretë, i cili është dhe niveli më i lartë, përfshihen profesionistët e TIK, të cilët merren me menaxhimin, arkitekturën dhe analizën e sistemeve. Të dhënat për dy grupet e para, i përkasin punonjësve të këtij sektori që janë në moshën 22 vjeçare, ndërsa për grupin e tretë janë të moshës 35 vjeçare, për vetë nivelin e ekspertizës që kërkohet në këtë grup. 
Për grupin e parë të punonjësve në sektorin e TIK, pagat mujore mesatare variojnë nga 484-4269 Euro/Muaj, ku vendi me pagën më të lartë mujore për këtë grup është Danimarka, ndërsa ai me pagën më të ulët është Bullgaria. Pas Danimarkës, vijnë të renditura vende si Gjermania, Luksemburgu, Belgjika, Austria, Suedia ku paga mesatare mujore mbetet mbi 3000 Euro/Muaj. 
Në vende si Lituani, Rumania, Letonia, Polonia, Hungaria, kjo pagë është më e ulët se 1000 Euro/Muaj.  Sërish dhe për grupin e dytë të punonjësve në sektorin e TIK, pagën më të lartë mesatare mujore e ka Danimarka me 4654 Euro/Muaj dhe pagën më të ulët mesatare mujore Bullgaria me 574 Euro/Muaj. Ndërsa, përsa i përket grupit të tretë, është Luksemburgu i cili ka pagën mesatare mujore më të lartë me 6765 Euro/Muaj. Bullgaria mbetet e fundit edhe në këtë grup me 810 Euro/Muaj.
Burimi: Telecentre Europë, Eurostat
Përpunimi dhe komentet: ODA
Ky artikull hulumtues publikohet në kuadër të Javës Europian të Përdorimit të internetit si një opsion për nxitje dhe promovim të mundësive për punësim në këtë sektor.

Kontribuoi: Ina Baja